Lajme
A është Glauk Konjufca zëri më racional në institucione?
Demokracia
18:35 | 12 Nëntor 2022

Share:

Në kohën kur Kosova po përballet me tensione në veri, me ftohje të raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me presion ndërkombëtar për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe krizë ekonomike, dy drejtuesit kryesorë të shtetit, presidentja Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti ia kanë mësyrë Francës.

I vetmi që ka qëndruar në Kosovë është kryeparlamentari Glauk Konjufca, i cili përgjithësisht vlerësohet si një prej njerëzve më të përgjegjshëm në institucionet e Kosovës të këtij pushteti.

Konjufca me qëndrimet e tij në Kuvendin e Kosovës dhe nëpër paraqitje publike ka arritur gjithnjë ta ruajë unitetin edhe më shumë se presidentja Osmani, e cila e ka obligim kushtetues.

Ndërkaq kur Osmani e Kurti e lanë vendin vetë, Konjufca kishte deklarata më të përgjegjshme në raport me miqtë ndërkombëtarë.

Në fjalimin para ushtarëve të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Konjufca ka deklaruar se paqe nuk do të ketë pa hequr dorë Serbia nga Kosova.

“23 vjet më parë ishte NATO-ja që me bombardimet e saj e ndali gjenocidin e Serbisë mbi popullin tonë. Ne nuk jemi shtet që kemi pretendime territoriale. Jemi Republikë demokratike, por ndihemi të kërcënuar nga pretendimet e Serbisë mbi shtetin tonë. Paqja në botë sot po rrezikohet nga agresioni i paprovokuar i Federatës Ruse mbi Ukrainën. Nuk mund të ketë paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në tokën evropiane, pa hequr dorë Rusia nga Ukraina dhe pa hequr dorë Serbia nga Kosova”, ka thënë ai.

Konjufca ka përmendur UÇK-në duke thënë se liria i ka rrënjët në luftën e UÇK-së.

“Për të lindur ky shtet u deshtë shumë mund, sakrifica dhe përpjekje. Kjo përpjekje kulmoi me luftën e drejtë të UÇK-së për mbrojtjen e vendit tonë, çlirimin e atdheut dhe largimin e okupatorit serb. Liria jonë e shenjtë i ka rrënjët në këtë luftë të lavdishme”, u shpreh Konjufca.

“Shteti ynë është i barabartë për të gjithë qytetarët, pa dallim etnie, gjinie, feje apo përkatësive tjera”, shtoi ai.

Konjufca në paraqitjet e tij të fundit ka qenë i vetmi nga pushtetarët që i ka treguar popullit për përmbajtjen më konkrete të propozimit franko-gjerman, që nga Osmani e Kurti u mbajt i fshehur. Madje edhe u negociua tinëz për të.

“Kush e ka lexu atë plan, esenca është kjo, nuk është se pajtohemi 100% me atë plan dhe ne i kemi vërejtjet tona, po nëse ai është fruti e ka një bërthamë, e bërthama është me pranu sovranitetin e ndërsjellë Kosova me Serbinë”, ka thënë Konjufca.

“Tash kur Serbia po e sheh që po afrohet një zgjidhje me Kosovën, me ç’rast bashkësia ndërkombëtare, shtetet më të fuqishme evropiane dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e kanë pozicionimin e qartë. Do t’ia propozojnë Serbisë një plan, i cili në thelb, nëse do ta përkthesh se çka i bie ai plan, është të heq dorë në pretendimet e saj njëherë e përgjithmonë ndaj Kosovës. Esenca është kjo”, tha Konjufca në Klan Kosova.

Kryeparlamentari Konjufca po ashtu është ndër të vetmit pushtetarë që mban lidhjen edhe me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai ishte i pari nga drejtuesit e pushtetit të ri që i vizitoi ish-krerët e UÇK-së në Hagë dhe tha se kjo gjykatë po i shkelë të drejtat e tyre, shkruan Demokracia.com.

Konjufca, po ashtu, edhe gjatë udhëheqjes së seancave tregohet më racional dhe më i balancuar. /Demokracia.com/

Të ngjashme