Një vizitë e paraparë në Uashington e ministrit të punëve të brendshme, Xhelal Sveçla dhe ministres së drejtësisë, Albulena Haxhiu, raportohet se është anuluar. Vizita e dy ministrave, ishte paraparë për nënshkrimin e disa marrëveshjeve Kosovë – ShBA. Këtë informacion, e kanë transmetuar mediat serbe të cilave nuk iu besuam në lexim të parë – prandaj tentuam të marrim një konfirmim nga institucionet në fjalë.
Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka thënë për Periskopin se ‘ka qenë në agjendë shkuarja e ministres në Uashington’ por se për anulimin ose jo, nuk është në dijeni momentalisht.
“Nuk e di në cilin kabinet, sepse unë jam në Vjenë për momentin, dorën në zemër nuk kam informacione. Por me sa di unë ata do të udhëtojnë në Washington, kështu është paraparë”, tha Sallahu.
Lidhur me agjendën për këtë vizitë në Uashington, Periskopi po ashtu ka pyetur zëvendësministrin Sallahu, por ai na tha se nuk është marrë me këtë agjendë dhe na rekomandoi që ta kontaktonim ‘këshilltaren’.
“Nuk e di për besë sepse nuk jam marrur me këtë agjendë, kontaktone këshilltare”, tha Sallahu.
Pas Sallahut, Periskopi mundi të kontaktojë edhe me ministren Haxhiu, por ajo na tha se ‘nuk ka informacione për anulimin e vizitës’ por në momentin që do t’i ketë, do t’i bëjë të ditura.
“Nuk kam informacione të tilla, nëse do të ketë diçka të tillë, e bëjë të ditur”, na tha ministrja Haxhiu.
Periskopi po provon të kontaktojë edhe me Ministrinë e Punëve të Brendshme, por deri tani, nuk kemi arritur të kemi një komunikim me këtë ministri, lidhur me këtë informacion.
Rikujtojmë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE, i kërkuan qeverisë së Kosovës që të ketë shtyrje të zbatimit të vendimit për 10 muaj, dhe jo implementim të vendimit në faza.
Vetëm pak orë para se vendimi të fillonte së zbatuari, zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price, tha se “SHBA-ja është e zhgënjyer që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesën dhe këshillën e aleatëve ndërkombëtar për çështjen e zgjatjes së afatit për targat”.
“Ne kemi qenë të qartë si në publik ashtu dhe privatisht se bashkësia ndërkombëtare, përfshirë SHBA-në, kërkojmë shtyrje të plotë në aspektin e implementimit. Pra, ne nuk kërkojmë implementim të pjesshëm apo edhe në faza. Komuniteti ndërkombëtar i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës, shtyrje të plotë”, u shpreh Price.