Rreth një muaj më parë në opinion dolën informacione se Franca dhe Gjermania u kanë dhënë liderëve të Kosovës dhe Serbisë një propozim sesi të zgjidhet kontesti i kahershëm ndërmjet dy vendeve.
Propozimi franko-gjerman nuk është bërë ende publik dhe nuk dihet se çfarë përmban saktësisht, megjithatë ditët e fundit janë zbardhur pjesë nga ky propozim. Fillimisht, ishte kryeministrit i vendit, Albin Kurti, që theksoi se ky propozim nuk është refuzuar, duke lënë të kuptohet se ka qenë i favorshëm ndaj Kosovës. Pastaj, kryeparlamentari Glauk Konjufca dha edhe hollësi të tjera.
Kurti ka thënë se Kosova nuk e ka refuzuar planin, ndonëse nuk dha hollësi të tjera për këtë propozim, por vetëm ka thënë se Serbia e ka refuzuar planin dhe situata në veri është si pjesë e këtij refuzimi.
“Ata e kanë refuzuar planin, por duan ta maskojnë refuzimin. Ata po i bëjnë këto drama për këtë çështje. Pra ata (këshilltarët e lartë të presidentit Macron dhe kancelarit gjerman Scholz) kanë sjellë përmbledhje të ideve, të modeleve, të cilat unë nuk i kam refuzuar, por janë bazë e mirë. Unë i kam vërejtjet e mia, por unë nuk e kam kundërshtuar atë propozimin”, ka thënë ai.
Por, a do ta publikojë Kurti planin franko-gjerman, që e quan bazë të mirë?
Deri më tani, kryeministri Kurti nuk ka dhënë ndonjë sinjal se do ta bëjë publik këtë plan. Megjithatë, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, mbrëmë tha se plani franko-gjerman është i mirë për zgjidhjen e problemeve Kosovë – Serbi dhe se Kosova e ka të vështirë t’i thotë jo.
“Të gjitha ato rezervat që i kemi, paraprihen prej fjalisë me të cilën fillon që ky është një plan, në bazë, është një plan i mirë për t’i zgjidhur deri në njohjen e plotë në relacionin në mes të Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Konjufca në Rubikon.
Më tej, Konjufca ka thënë se Kurti i ka dërguar komentet e tij për këtë propozim.
Që nga viti 2012, Kosova dhe Serbia kanë zhvilluar një dialog politik për normalizimin e marrëdhënieve, me ndërmjetësimin e BE-së.
Aktualisht synohet arritja e një marrëveshjeje përfundimtare mes dy vendeve për normalizimin e marrëdhënieve, gjë që ende nuk ka ndodhur. Dialogu është ndërprerë disa herë./Demokracia.com/