Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit.
Ajo tha se “Serbia gjithnjë ka qenë në kërkim të pretekstit për skenarë të ndarjes së veriut nga Kosova”, derisa shtoi se sa ka qenë kryenegociatore nuk e ka lejuar “asnjëherë”.
Tahiri tha se Serbisë i ka treguar se “tokat shqiptare shtrihen deri te ‘Molla e Kuqe’”.
“Serbia gjithnjë ka qenë në kërkim të pretekstit për skenarë të ndarjes se veriut nga Kosova, e ka shfaqur indirekt edhe ne dialogun e Brukselit, sa isha kryenegociatore për shtate vite nuk e lejova asnjëherë, madje kur ishte nevoja ua tregoja se tokat shqiptare shtrihen deri te ‘molla e kuqe’. Këto tensione qe po zhvillohen kane për prapavije ‘veriun’. Nuk është e rastësishme që Vuçiq sot i beri thirrje SHBA-ve dhe NATO-s të ndërhyjë në veri për ta qetësuar situatën”, ka shkruar ajo.
Tahiri ka edhe një rekomandim për Qeverinë e Kosovës dhe partitë politike.
“Prandaj, Qeveria e Kosovës por edhe gjithë spektri politik, pozite dhe opozite, duhet te jene ne nivelin e përgjegjësisë shtetërore dhe kombëtare për të mos lejuar skenarë që mund te destabilizojnë situatën dhe të çojnë ujë në mullirin e Vuciqit”, ka shkruar ajo në Facebook.
Kujtojmë se Lista Serbe është tërhequr nga Kuvendi dhe komunat veriore të Kosovës.