Lajme
Baliqi: Me situatën në veri, Serbia po synon zvarritjen dhe modifikimin e marrëveshjes në favor të tyre
Demokracia
13:31 | 06 Nëntor 2022

Share:

Analisti i politikës, Bekim Baliqi, ka treguar se çka po synon Beogradi me situatën në veri dhe të serbëve atje.

Baliqi thotë situata e krijuar në veri po bëhet për të shtuar presionin ndaj ndërkombëtareve dhe të zvarritet marrëveshja dhe të modifikohet në favor të tyre.

“Prandaj, ne e pamë që reagimet e para nga Brukseli zyrtar ishin pikërisht që çështja e targave të shtyhet dhe që asociacioni të implementohet menjëherë. Kjo do të ishte një fitore e padiskutueshme e tyre, sepse do të impononin agjendën dhe do të hapnin kornizën e marrëveshjes duke e larguar njohjen reciproke përfundimisht nga përmbajtja dhe duke kushtëzuar krijimin e asociacionit sipas modelit që ata po aspirojnë me pranim të saj.”, ka shkruar ndër të tjera ai në Facebook.

Postimi i plotë i tij:

Për të kuptuar situatën në Veri dhe veprimet e serbëve atje, duhet fillimisht kuptuar çka po synon Beogradi të arrij me këtë?

Pikë së pari, ata me këto veprime po shtojnë presionin te bashkësia ndërkombëtare, me kërcënim të destabilizimit dhe përshkallëzimit të situatës. Kjo me qëllim që çështja e marrëveshjes së përfolur të zvarritet më tej dhe eventualisht të modifikohet në favor të tyre. Edhe protestat edhe bojkoti e masat e paralajmëruara janë levë në pazarin që Serbia kërkon të e rritë para se të e ‘pranon’ çfarëdo marrëveshje. Prandaj, ne e pamë që reagimet e para nga Brukseli zyrtar ishin pikërisht që çështja e targave të shtyhet dhe që asociacioni të implementohet menjëherë. Kjo do të ishte një fitore e padiskutueshme e tyre, sepse do të impononin agjendën dhe do të hapnin kornizën e marrëveshjes duke e larguar njohjen reciproke përfundimisht nga përmbajtja dhe duke kushtëzuar krijimin e asociacionit sipas modelit që ata po aspirojnë me pranim të saj.

Qeveria e Kosovës dhe gjithë spektri politik duhet të bashkërendohet mes veti dhe në bashkëpunim të afërt me aleatët tonë, të mos bjerë pre e çfarëdo provokimi apo veprimi të pamatur. Çfarëdo kërkesë e paarsyeshme me argumentim të duhur të kundërshtohet ashpër. Ndërsa nuk duhet gjithashtu lejuar që kërkesat e Borellit apo kujtdo qoftë që shkelin interesat afatgjate nacionale e kushtetutshmërinë e vendit, të merren parasysh.

Në këtë betejë nuk ka pozitë e opozitë, as hero e tradhtar, por maturi politike e shkathtësi diplomatike e strategjike. Me miq e mençuri ia kemi dal deri sot, do të ia dalim edhe nesër.

Të ngjashme