Analisti Astrit Gashi, pas zhvillimeve në veri të vendit ku serbët vendosën të braktisin institucionet e Kosovës tha se presidenti serb Aleksandër Vuçiq, po e tensionon veriun sepse ose nuk është i gatshëm per marrëveshje ose dëshiron të ndërhyjë në të për të përfituar më shumë.
Ai tha se Gjermani dhe Franca, të cilët kanë një nismë të tyre për të arritur te marrëveshja finale duhet të reagojnë në mënyrë që të mos lejojnë Serbinë të përfitojë më shumë.
Ndryshe, sipas Gashit, Kosova duhet të kërkojë nga Shtetet e Bashkuara që të kenë rol bartës.
“Gjermania dhe Franca, si bartëse te procesit dhe autore teksti te marrëveshjes, tash duhet te tregojnë seriozitetin e tyre duke vepruar e mos lejuar ndryshime qe Vuciq dëshiron t’i imponojë në teren përmes strukturave të tij në veri të Kosovës. Nëse këto dy shtete aleate nuk veprojnë, atëherë Qeveria e Kosovës, duhet të kërkojë që rolin bartës në dialog ta mbaje Amerika. Me ta Qeveria e Kosovës duhet të shtojë dhe fuqizojë bashkëpunimin në fushën e sigurisë”, shkroi Gashi.