Kryeministri Shqipërisë, Edi Rama, ishte zëri më i fuqishëm në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së, që po mbahen në Hagë. Ai gjatë këtij viti i ka mbajtur dy fjalime të rëndësishme, duke kërkuar nga institucionet ndërkombëtare që raporti i Dick Martyt të kundërshtohet pasi që është “Fake News” dhe e ka nxirë UÇK-në dhe historinë e Kosovës.
Në shtator të këtij viti, kryeministri Rama ka mbajtur një fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, duke thënë se raporti i Dick Martyt është një trillim dhe fantazi. Rama e cilësoi si tejet të rëndë atë se çfarë politikani zviceran shkruante në 2011 për ish-udhëheqësit e UÇK-së, që sot mbahen padrejtësisht në Hagë.
Rama i kërkoi kësaj organizate, që të pranojë kërkesën e Shqipërisë për të paraqitur një raport të ri, që kundërshton me prova dhe me fakte raportin e Dick Martyt, që e ka nxirë qëllimisht UÇK-në, por edhe vetë historinë e Kosovës.
“Në 2011, u soll raporti i Dick Marty ku akuzohej ushtria e Kosovës për trafikimin e organeve, duhet të ishte paguar si tregimtar, por jo si raportues i Këshillit të Evropës. Jo vetëm që shumë i besuan, po u shndërruan në faktorë kyç për ngritjen e Dhomave të Specializuara dhe u bë një nga rastet më të rënda të manifestit kundër pavarësisë së Kosovës. Asnjë grimë prove apo treguesi nuk u gjet askund në Kosovë dhe asnjë vend tjetër. E megjithatë, Dhomat e Specializuara kanë arrestuar pa padi Hashim Thaçin. Ai priti një vit në burgim deri sa u akuzua zyrtarisht. Imagjinojeni njëherë, presidenti juaj, që merret nga zyra çohet në një vend të tretë që mbahet i ndaluar për një vit të tërë pa asnjë akuzë zyrtare, as edhe një fjalë e vetme e aktakuzës nuk ka të bëjë me raportin e Këshillit të Evropës, për krimin e pretenduar të trafikimit, një fantazi e tërë, dështim monumental në nivel ndërkombëtar, njollosje e një vendi. Ne mendojmë që Asambleja do të nevojë të vërtetën dhe do të pranojë kërkesën e Shqipërisë për të pasur një raport vijues, ndërkohë që dëmi është bërë dhe të ndihmojë të rivendosë besueshmërinë e një organizatë kaq të rëndësishme”, kishte thënë Rama.
Ndërsa, në tetor, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i është drejtuar Këshillit të Evropës për të kërkuar rishikimin e raportit të Dick Martyt dhe për të shpallur të pabaza akuzat e tij për trafikim të organeve njerëzore gjatë luftës çlirimtare në Kosovë.
Gjatë fjalës së tij, Rama ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet e raportit duke i analizuar të gjitha pikat e tij.
Ai ka thënë se raporti është një fantazi e pastër e fabrikuar në Kremlin dhe i sjellë në Këshillin e Evropës.
“Përfaqësoj Shqipërinë por nuk kam ardhur të flas vetëm për Shqipërinë, edhe pse tema lidhet me Shqipërinë si shpirti me trupin. Kjo ka lidhje me çështjen e marrëdhënies së një vendi me të shkuarën e vet dhe ndikimin që kjo mund të ketë në zhvillimin e tij në të ardhmen. Ta kthesh një histori konflikti në histori bashkëpunimi, kërkon jo vetëm guxim, vullnet të mirë dhe besim mes shteteve, por edhe guxim të bashkëndarë të institucioneve ndërkombëtare. Nëse këto institucione dështojnë të japin drejtësi, dëmi është i madh, një goditje ndaj të gjitha përpjekjeve tona për të kthyer një faqe të errët të historisë sonë, për të shkruar një faqe tjetër”, tha Rama në fjalën e tij.
Kryeministri Rama foli edhe për “Shtëpinë e verdhë”, duke thënë se kjo shtëpi për të cilën raporti i Dick Martyt pretendonte se janë nxjerrë organe njerëzish nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, nuk ishte as e verdhë dhe as nuk ishte klinikë.
“Raporti përqendrohet dhe e vendos një theks të veçantë tek një vend specifik mjekësor, një shtëpi e verdhë ku ishin përqendruar operacionet. Kjo shtëpi nuk është e verdhë dhe as klinikë, është një shtëpi prej të shumtave në një zonë të thellë të Shqipërisë. Vetë fshati ndodhet në një zonë shumë të largët të Shqipërisë. Ky nuk ishte vendi ideal për heqjen e organeve. Imagjinojeni të heqësh organe, pa rrymë, pa ujë dhe pa rrugë – e lerë më pa pajisjet e specializuara”, kishte thënë Rama.
Ndërsa, Kuvendi i Shqipërisë, më 21 korrik ka miratuar një rezolutë në të cilën kërkohet që akuzat e raportit të Martyt të konsiderohen të paargumentuara, të paprovuara dhe të pabazuara në prova e fakte./Demokracia.com/