Zyra e Presidentes së Kosovës e ka konfirmuar më në fund intervenimin kirurgjik të presidentes Osmani.
Pasi që i kishin mbajtur fshehur problemet shëndetësore të presidentes Osmani dhe rekomandimin e mjekëve specialistë për intervenimin kirurgjik për heqjen e tëmthit, operacion ky që u zbulua nga mediat, zyra e Osmanit ka kërkuar nga mediat që t’i respektohet e drejta për privatësi njeriut të parë të shtetit.
Këtij operacioni të lehtë, siç thotë Zyra e Presidentes, e para e shtetit i është nënshtruar në një spital privat dhe jo në QKUK, aty ku qytetarët e saj kryejnë operacione shumë më të komplikuara.
“Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës njofton opinionin publik se dje (2 nëntor), pas rekomandimit nga mjekët specialistë, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani i është nënshtruar një intervenimi të lehtë kirurgjik (heqja e tëmthit), i cili është realizuar me sukses. Bazuar në vlerësimin dhe vullnetin e saj, gjatë ditës së djeshme, Presidentja Osmani ka bërë bartjen e përkohshme të përgjegjësive të Presidentes së Republikës tek Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Glauk Konjufca. Nga 3 nëntori, Presidentja do të vazhdoj me ushtrimin e detyrave dhe obligimeve kushtetuese që ndërlidhen me pozitën e Presidentes së Republikës, si dhe gradualisht do t’i kthehet angazhimeve publike. Gjatë kësaj periudhe, kërkojmë mirëkuptimin e medieve për të respektuar të drejtën fundamental për privatësi të Presidentes, që është e garantuar me kushtetutë”, thuhet në reagimin e Zyrës së Presidentes.
Edhe ish-presidenti Hashim Thaçi i ishte nënshtruar një operacioni, por ai i kishte mbajtur të informuar vazhdimisht qytetarët dhe ishte operuar në QKUK, jo në spital privat.
Ndryshe, Osmani i ishte nënshtruar edhe një operimi tjetër të fshehtë në verën e vitit të kaluar në Turqi, veçse për humbjen e peshës, i cili gjithashtu ishte zbuluar nga mediat atje. /Demokracia.com/