Prishtina dhe Trepça ’89 kanë ndarë pikët në ndeshjen e mbetur të javës së nëntë të zhvilluar të mërkurën mbrëma.
2:2 ishte rezultati final në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet, raporton Demokracia.com.
Përkundër se dy skuadrat morën nga një pikë, Prishtina dhe 89-shi kanë shënuar ngritje në renditjen tabelore.
Prishtina ka 22 pikë është ngritur në vendin e tretë, duke e kaluar Gjilanin. 89-shi me 12 pikë zë vendin e tetë, teksa para sfidës renditej i parafundit.
Shifrat u zhbllokuan vetëm pas katër minutave lojë kur mesfushori Genc Hamiti shënoi nga afërsia për t’ia dhënë avantazhin “bardhekaltërve”. 21 minuta më vonë në skenë doli topgolashënuesi i mitrovicasve Christian Mba që barazoi shifrat.
Mba nuk u ndal me kaq. Ai përmbysi rezultatin në minutën e 47-të për epërsinë e 89-shit. Megjithatë, 14 minuta para fundit, Muhamed Useni barazoi rezultatin për Prishtinën.
Në vazhdim, dy skuadrat tentuan golin e fitores, por nuk e arritën dhe kësisoj u pajtuan me nga një pikë./Demokracia.com/