Lajme
A do të organizohet Haxhi dhe Umreja nga Kosova për këtë vit?
Demokracia
14:19 | 07 Prill 2021

Share:

Bashkësia Islame e Kosovës është deklaruar se nuk ka vendim zyrtar lidhur me organizimin e Umres nga shteti i Arabisë Saudite.

Muaji i Shenjtë i Ramazanit këtë vit fillon më 13 prill, gjatë të cilit besimtarët myslimanë agjërojnë, duke lënë anash ushqimin dhe pijen nga orët e hershme të mëngjesit (syfyri), deri në kohën e mbrëmjes (iftarit). Gjatë këtij muaji bëhet edhe vizita në qytetin e Mekës e që njihet si Umre.

Ndërkaq për organizimin e saj çdo vit përkujdeset Bashkësia Islame e Kosovës, derisa në një përgjigje për Demokracia.com, kryeimami i BIK-ut, Vedat Sahiti ka deklaruar se nga fillimi i pandemisë kryesia e BIK-ut kishte marrë vendim për pezullimin e organizimit të Umres, pasi që edhe Arabia Saudite kishte ndaluar për një kohë udhëtimet nga vendet e tjera për Umre dhe që vizitat e tilla janë kryer vetëm nga banorët e shtetit arab.

“Ne që nga fillimi i pandemisë kemi marrë vendim si kryesi të pezullojmë edhe organizimin e Umresë. Nuk ka qenë e lehtë për neve të realizohet, ngaqë jo vetëm ne mirëpo edhe shteti i Arabisë Saudite – autoritetet saudite i kanë ndaluar për një kohë të gjatë udhëtimet për në Umre dhe akoma deri tash nuk kemi ndonjë njoftim zyrtar nga Ministria e Haxhit dhe Umresë për organizimin e Umresë për vendet e tjera. Kanë filluar të organizojnë Umre nga shtetasit e Arabisë Saudite brenda, mirëpo edhe ato vizita kanë qenë me masa të kufizuara dhe me protokollet që kanë autoritetet saudite”, tha Sahiti.

Edhe për organizimin e Haxhit pritet vendim nga shteti saudit në fund të muajit të shenjtë të Ramazanit se a do të ketë organizim apo do të mbetet njësoj si në vitin e kaluar që kjo vizitë të bëhet vetëm nga shtetasit arabë.

“Si përket haxhit pritet që pas Ramazanit, Ministria e Haxhit të dalë me një njoftim dhe me vendim zyrtar për çështjen e organizimit të haxhit se a do të organizohet këtë vit, apo do të ngelet sikurse vitin e kaluar vetëm me një numër simbolik nga shtetasit e Arabisë Saudite apo edhe nga punëtorët dhe qytetarët rezidentë që punojnë në Arabinë Saudite. Po presim pas Ramazanit njoftimin nga Ministria e Haxhit”, tha Sahiti për Demokracia.com.

Haxhi është një nga pesë shtyllat e fesë islame, gjatë së cilës besimtarët myslimanë bëjnë vizitë në qytetin e Mekës, e cila zgjatë deri në 6 ditë, duke kryer disa rituale fetare. Kjo vizitë është obligim për secilin besimtar mysliman, i cili posedon mundësitë shëndetësore dhe financiare dhe është e obligueshme që të kryhet një here në jetë, ndërsa koha e kryerjes së këtij rituali bëhet para festës së Kurban Bajramit.

Ndërsa Umre është një vizitë jo detyruese në qytetin e Mekës, e cila mund të bëhet në çdo kohë të vitit, e që po ashtu përmban disa rituale fetare./Demokracia/

Të ngjashme