Kombëtarja e Kosovës nuk i nisi edhe aq mirë eliminatoret për kampionatin Botëror “Katar 2022”.
“Dardanët” u mposhtën nga Suedia dhe Spanja, dy kundërshtarë këta që realisht humbja ndaj tyre ishte edhe e pritshme, megjithatë opinioni nuk e priti aq mirë, shkruan Demokracia.com.
Shumë kërkesa ishin për shkarkimin e tij, gjë kjo që ka mbërritur edhe në zyrat e FFK-së.
Sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu në një intervistë për mediat vendore e ka përmendur shkarkimin e trajnerit, por ai thotë se nuk është e drejtë me një ndeshje apo dy të nxjerrën konkludime, derisa ka thënë se edhe pagën mund të jetë si një nga pengesat e shkarkimit të teknikut zviceran.
Demokracia.com ka tentuar të mësojë nga Salihu se për çfarë page saktë bëhet fjalë, por ai ishte i paqasshëm, derisa zyra për media ka thënë se paga e Challandes është konfidenciale.
“Të nderuar pagat janë konfidenciale”, kanë thënë shkurt nga FFK. Derisa në pyetjen se kush mund ta emërojë dhe ta shkarkojë një përzgjedhës të Kombëtares së Kosovës, sipas shtëpisë së futbollit kjo e drejtë i takon ekskluzivisht Komitetit Ekzekutiv.
Challandes ka kontratë me FFK-në deri në vitin e ardhshëm./Demokracia.com