Albin Kurti e zhgënjeu aleatin kryesor të Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi ato kërkuan nga Qeveria e Kosovës që ta shtyjë afatin për riregjistrimin e veturave me targa serbe, duke i konvertuar ato në targat RKS – Republika e Kosovës.
“Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat për të bërë një gjë të tillë nga partnerët ndërkombëtarë”, u tha në deklaratën e Departamentit Amerikan të Shtetit.
SHBA nuk ndalet, reagon edhe Sekretari Blinken: Jam i zhgënjyer me Qeverinë e Kosovës
E këtë “rebelim” të Kurtit po vazhdojnë ta përkrahin deputetët e partisë së tij në Kuvendin e Kosovës, shkruan Demokracia.com.
Dimal Basha e Fitore Pacolli, dy deputetë që njihen se dalin dhe ia bëjnë ‘rrafsh’ qeverisë dhe çdo vendimi të Kurtit, po e vazhdojnë marrëzinë për ta kundërshtuar SHBA-në, përkundër kërcënimeve nga ana e Serbisë edhe me ushtri.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ka deklaruar se nuk janë rrezikuar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me planin për të shkallëzuar zbatimin e vendimit për targat.
Pacolli në RTV Dukagjini deklaroi se ShBA “kanë të drejtë të shqetësohen”, por sipas saj, Kosova po vepron si shtet.
“Mund të shqetësohen, kanë të drejtë, por shteti i Kosovës ka treguar se do të veprojë si shtet i pavarur dhe do të vendosë rend dhe rregull në secilën pjesë të vendit”, ka thënë ajo.
Tutje, deputetja e partisë në pushtet deklaroi se nuk i rrezikojnë marrëdhëniet me SHBA-në “për pikë të qejfit”.
Veç kësaj, Pacolli tha se Qeveria do të vazhdojë me vendimet e saj, duke theksuar se edhe ky i fundit ishte i “ligjshëm”.
“Ne nuk themi se nuk kemi nevojë për partnerët ndërkombëtarë. Nuk themi se do i rrezikojmë marrëdhëniet për pikë të qejfit. Jo (nuk rrezikon marrëdhëniet). Nuk ka gjasa, për shkak se ne respektojmë deri në pikën e fundit të drejtat e njeriut. Kështu që, të vazhdojmë tutje me vendimet tona. Është vendim i ligjshëm”, ka thënë ajo.
Dimal Basha, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, po ashtu, ka shkruar një status në lidhje me çështjen e targave. E fokusi i tij në këtë situatë ishte opozita e Kosovës, e cila, sipas tij, e ka për pikënisje atë çka thonë ndërkombëtarët.
Madje, Basha ka vlerësuar se opozita duhet të ketë si pikënisje atë çka thonë edhe kombëtarët, jo vetëm ndërkombëtarët.
“Pozicionet e komplet opozitës janë, “po na prishni me ndërkombëtarë!” Nuk tregojnë nëse vendimi i Qeverisë është i drejtë, por pikënisje e kanë, s’po iu pëlqen ndërkombëtarëve”, shkroi Basha ndër të tjera.
Kryetari i Miqësisë me Amerikën sfidon SHBA-në: Ne patëm të drejtë edhe për referendumin serb
Por, përderisa Kurti dhe partia e tij po vazhdojnë të tregohen të fuqishëm përballë SHBA-së, ministri serb i mbrojtjes sot e kërcënoi Kosovën edhe ushtarakisht, shkruan Demokracia.com.
Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviç, tha se ushtria serbe është vënë në gjendje gatishmërie për shkak të situatës në Kosovë, pas vendimit të Qeverisë për targat.
Ai konfirmoi se këtë urdhër e ka dhënë presidenti i këtij vendi, Aleksander Vuçiq.
Lajmi erdhi pasi Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha në orët e para të së martës se Policia e Kosovës ka nisur me zbatimin e planit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e veturave me targa të paligjshme, që i lëshojnë autoritetet serbe.
Vendimi i marrë nga Qeveria e Kosovës është në 3 faza: E para përfshin qortimin e shoferëve që vozisin vetura me targa të paligjshme, e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për ata shoferë dhe e treta targa provuese.
Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill dhe nga ajo datë në qarkullim do të lejohen vetëm vetura me targa të Republikës së Kosovës. /Demokracia.com/