Futbolli kosovar sot sjell dy ndeshje mjaft interesante në kuadër të Kupës së Kosovës ku luhen gjysmëfinalet, shkruan Demokracia.com.
Në kryeqytet takohen Prishtina – Llapi, sfidë kjo shumë e fortë, megjithatë këtë herë vëmendje të madhe ka marrë edhe takimi ndërmjet dy skuadrave të Ligës së Parë, Istogu e Dukagjini.
Të dyja skuadrat po e kërkojnë momentin historik, pra kualifikimin në finale, dhe kjo bën të pritet një luftë e ashpër.
Futbollisti i njohur kosovar që tash mbron ngjyrat e Dukagjinit, Mark Milicaj në një bisedë për Demokracia.com, ka thënë se pret një ballafaqim shumë të fortë por është i sigurt se ata do të arrijnë finalen.
“Besoj që do të jetë një përballje mjaftë e vështirë, po besoi që me angazhim maksimal do të jemi ne ata që do të luajmë në finale”, ka thënë Milicaj ka folur më pas edhe për finalen dhe cilën skuadër ka dëshirë ta takojë atje Prishtinën apo Llapin.
“Është me rendësi ne të jemi në finale, cilido kundërshtar të jetë pak ka rëndësi pasi që ajo është finale dhe cila do skuadër që do vijë ne do të jemi të motivuar në maksimum. Normal, nëse do t’ia arrijmë qëllimit që të jemi në finale, atëherë do të japim gjithçka nga vetja që të jemi ne fituesit e Kupës. Sigurisht që do të jetë vështirë por jo e pamundur”, ka përfunduar Mark Milicaj. /Demokracia.com