Sport
Simeone tregon se pse nuk e gjuajti Griezmann penalltinë ndaj Leverkusenit
Demokracia
15:08 | 27 Tetor 2022

Share:

Tifozët e Atletico Madrid përjetuan një mbrëmje të hidhur në “Wanda Metropolitana”. Njësoj edhe për Diego Simeonen, tifozin më të madh të skuadrës së tij, që ngeci në një barazim 2-2 përballë Bayer Leverkusen dhe i dha lamtumirën Champions League.

Belgu Yannick Carrasco, i cili realizoi golin e parë të Atleticos, pati një shans të artë në minutën e 99’, por nuk ia doli të shënonte dot golin e fitore nga pika e bardhë e penalltisë, me finlandezin Hradecky që u kthye në heroin e “Aspirinave”.

Një eliminim i dhimbshëm, por Diego Simeone sheh përpara dhe karikon djemtë e tij, të cilët kanë shanse të vazhdojnë rrugëtimin europian në Europa League, ndërkohë që renditen në vendin e tretë në La Liga, tetë pikë larg Realit kryesues.

“Ky është momenti më i vështirë, por unë do të vazhdoj të insistoj që ky klub të marrë diçka që na nevojitet, si kualifikimi në Champions për sezonin e ardhshëm”, deklaroi trajneri argjentinas, i cili u ndal edhe te penalltia, duke shpjeguar pse nuk gjuajti Griezmann si zakonisht.

“Griezmann është një nga gjuajtësit tanë, por ai ishte shumë i lodhur. Carrasco e mori topin përpara se arbitri t’i drejtohej VAR-it. Nëse një lojtar kërkon të godasë dhe zgjedh këtë mënyrë, atëherë shokët e skuadrës bien dakord dhe e lejojnë të gjuajë”, deklaroi tekniku i Atleticos. /Demokracia.com

Të ngjashme