Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës ka marrë vendim që të ndalojë udhëtimet e tifozëve mysafirë në ndeshjen e kampionatit elitar.
Ky vendim vlen vetëm për ndeshjet e organizuara nga klube dhe jo në ndeshjet dhe eventet e organizuara nga FBK-ja si Superkupa dhe Final 8, shkruan Demokracia.com.
Bordi i FBK-së bën të ditur se ka qenë i detyruar të marrë një vendim të tillë, duke u bazuar në disa nga ngjarjet e fundit që kanë ndodhur me tifozët në ndeshjet e basketbollit dhe për të evituar probleme edhe më të mëdha në të ardhmen.
VENDIMI I PLOTË:
Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) konform nenit 23 të Statutit të FBK-së ka marrë vendim që të ndalojë udhëtimin e tifozëve mysafirë në mënyrë të organizuar në ndeshjet e Prince Caffe Superligës së Kosovës deri në fund të edicionit 2022/23 dhe ky vendim do të vlejë vetëm për ndeshjet e organizuara nga klubet, e jo në ndeshjet dhe eventet e organizuara nga Federata e Basketbollit e Kosovës (si Superkupa, Final 8 etj).
Bordi i FBK-së ka qenë i detyruar të marrë një vendim të tillë, duke u bazuar në disa nga ngjarjet e fundit që kanë ndodhur me tifozët në ndeshjet e basketbollit dhe për të evituar probleme edhe më të mëdha në të ardhmen, atëherë Bordi ka vendosur të ndërmarrë masa në këtë drejtim.
Ky vendim hyn në fuqi në ditën e miratimit të tij.
Në emër të Bordit të FBK-së,
Arben FETAHU
Kryetar
Federata e Basketbollit e Kosovës./Demokracia.com/