Sindikata e Postës së Kosovës ishte ankuar në U.D Drejtoreshën e Operativës, Saranda Ademin për presion në punë. Për këtë dje ka raportuar Demokracia.com.
Mirëpo këto akuza i ka mohuar Ademi përmes një përgjigje me shkrim për Demokracia.com.
“Lidhur me shkrimet e Shoqatës Sindikale Posta në mbështetje të nenit 2 të Ligjit nr. 02/L-65 (Ligji Civil kundër Shpifjes dhe Fyerjes), konsideroj së publikimi i një shkrimi pa fakte dhe argumente me elemente të shpifjes, fyerjes dhe të dëmtimit të imazhit, si dhe publikimi i një lajmi të tillë dëmton reputacionin, integritetin tim personal, profesional, ofendim në baza gjinore, bullizëm etj”, thuhet në përgjigjen e Ademit.
Ajo ka hedhur akuza drejtë Sindikatës së Postës së Kosovës duke i quajtur akuzat si shpifje të pa bazuara.
“Me ndikim negativ në familjen dhe jetën time, si dhe Postën e Kosovës Sh.A. Nuk është në etikë e as mandat i Sindikatës që të përfshijë një numër të lartë të punonjësve që nuk janë anëtarë të kësaj shoqate, ku përsëriten denigrimet e integritetit jo vetëm tim, që ofron të nënkuptohet se qëllimi i tyre nuk përkon me veprimtarinë si shoqate sindikale, por për destabilizim dhe shpifje të pa bazuara duke e keqpërdorur cilësinë e një shoqatë sindikale”, thuhet tutje në përgjigjen e saj.
Demokracia.com gjatë ditës së martë kishte raportuar për një e-mail që ishte drejtuar Menaxhmentit të Postës së Kosovës, duke i kërkuar të ndërmarrë masa ndaj Saranda Ademit.