Dukagjin nesër ka një mision shumë të vështirë. Skuadra nga Klina po e kërkon suksesin historik- arritjen në finale të Kupës së Kosovës, por para se ta bëjë këtë duhet ta kalojë një sfidë të madhe që quajtur “Istog”, shkruan Demokracia.com.
Dukagjini e Istogu përballën nesër në gjysmëfinale të Kupës, ndeshje kjo që zhvillohet nga ora 15:00 dhe pritet të sjellë një luftë të madhe në fushë.
Ka kohë që në gjysmëfinale nuk janë takuar dy skuadra nga Liga e Parë si në këtë rast që janë këto dy skuadra, të cilët përveç Kupës e kanë edhe një front të hapur atë për inkuadrim në Superligë, ku të dyja qëndrojnë lartë në tabelën e Ligës së Parë Grupi A (Dukagjini i pari, Istogu i treti).
Dukagjini i udhëhequr nga trajneri Armend Dallku, duket gati për ndeshjen e nesërme, derisa sulmuesi më i rrezikshëm i kësaj skuadre, Labinot Osmani në një prononcim për Demokracia.com, ka treguar për pritshmëritë e skuadrës.
“Nesër luajmë ndeshjen e parë të gjysmëfinales së Kupës dhe shpresoj të paraqitemi në mënyrën sa më të mirë. Kemi punuar gjatë javës dhe jemi munduar ta përgatitim ndeshjen sa më mirë që është e mundshme”, ka thënë fillimisht Osmani, i cili po beson se me formën që po kalon skuadra mund t’ia dalin ta kalojnë këtë sfidë dhe të arrijnë në finale.
Sa i përket kundërshtarin në finale, sulmuesi vushtrrias ka thënë se nuk po e mendon njëher, pasi synimi i tyre është ta kalojnë gjysmëfinalen fillimisht.
“Shpresojmë në paraqitje të mirë dhe në rezultat pozitiv. Sa i përket kundërshtarit në finale, Prishtina apo Llapi nuk kisha dashur të mendoj përderisa të arrijmë atje, d.m.th objektivi jonë është të arrijmë finalen e pastaj në finale le të jetë cilido kundërshtarë”, ka përfunduar Labinot Osmani.
Të kujtojmë se gjysmëfinalet zhvillohen me dy ndeshje vajtje-ardhje, derisa takohen Prishtina – Llapi e Dukagjini – Istogu. /Demokracia.com