Sot në media është publikuar një Draft-Statut për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe i përgatitur nga ekspertë gjermanë të lidhur me Qeverinë Federale të Gjermanisë.
Për çështjen janë deklaruar edhe nga Qeveria Federale e Gjermanisë.
Nacionale ka pyetur Qeverinë Federale Gjermane në lidhje me pretendimet se autorët e këtij dokumenti – ekspertët gjermanë – janë të lidhur me Qeverinë Federale të Gjermanisë.
“A mund ta konfirmoni apo mohoni këtë pretendim?” – ishte pyetja direkte e bërë drejt Zyrës për Komunikim.
“Është në bindjen tonë të fuqishme që çështjet politike sa i përket rrugës drejt normalizimit të plotë duhen bërë në një formë më të vendosur dhe më të shpejtë në mënyrë që të mos ketë përshkallëzim në terren,” – u shpreh ajo.
Përgjigja e saj vazhdoi duke thënë:
“Në takimet e fundit të nivelit të lartë kjo është theksuar dhe propozimet drejt këtij qëllimi janë diskutuar në një mënyrë konfidenciale. Diskutimet po vazhdojnë,” – shkroi ajo.
Së fundi është diskutuar gjerësisht edhe në lidhje me Propozimin Franko-Gjerman, ekzistencën e të cilit e ka pranuar edhe ministrja e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla por për të cilin ka refuzuar që të flasë kryeministri Albin Kurti.
“Gjermania dhe Franca i japin mbështetjen e tyre të plotë dialogut të udhëhequr nga BE-ja mes Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga përfaqësuesi special i BE-së për dialog Mirosllav Lajçak,” – u shpreh ajo.
Kryeministri i vendit Albin Kurti ishte shprehur pikërisht se Gjermania dhe Franca kishin pasur një iniciativë për fuqizimin e rolit të emisarit Lajçak në dialog.
“Unë kam propozuar kornizën e përgjithshme të dialogut, ka një iniciativë franko-gjermane e cila dëshiron që t’i jap edhe më shumë fuqi zotit Lajçak, sikurse që i jep edhe mbështetja e vazhdueshme amerikane,” – kishte thënë ai.
Ndërkohë, në një përgjigje për gazetën Nacionale, Përparim Kryeziu nga Qeveria e Kosovës është shprehur si vijon:
“Qëndrimi ynë për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe është i njohur, i qartë dhe i njëjtë. Asociacione që karakter themeltar kanë etninë bien ndesh me Kushtetutën e Republikës sonë dhe vet karakterit e shtetit tonë. Për më tepër, komunitetet jo-shumicë kenë nevojë për integrim, jo izolim. Sa i përket dokumentit që ka qarkulluar sot në media, ai përveçse draft, është pa autor. Në anën tjetër ne jemi Qeveri e Republikës së Kosovës që kemi kushtetutshmëri dhe ligje të cilat i mbrojmë dhe respektojmë.”