Lajme
Peci tha se e kanë kthyer ligjshmërinë në MPJD, deputetja e PDK-së ia kujton të gjitha shkeljet
Demokracia
23:27 | 18 Tetor 2022

Share:

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, i ka reaguar njërit prej kryetarëve të kontestuar të Guxo, njëherësh Ministër i Bujqësisë, Faton Peci, pas deklaratave të tij se e kanë kthyer ligjshmërinë në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Musliu-Shoshi ka thënë se ministri Peci po e gënjen opinionin publik, përcjell Demokracia.com.

“Ai po thotë se konsujt paskan qenë të zgjedhur nëpër oda, por askush nuk krahasohet me skandalet e Prindon Sadriut dhe Martin Berishës. Peci po thotë që u kthye ligjshmëria në MPJD, por këtij institucioni po ia nxjerr në pah paligjshmërinë çdo ditë Këshilli i Pavarur për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil të Kosovës dhe bazuar në vizitën e Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme, që është zhvilluar javën e kaluar, na është konfirmuar shkelja flagrante e ligjit dhe përtej kësaj edhe shkelja flagrante e të drejtave të njeriut”, ka shkruar ajo.

Musliu-Shoshi ia ka kujtuar ministrit Peci se MPJD-ja është detyruar ta anuloi edhe konkursin për 32 diplomatë, që e kishin përgatitur për militantët e tyre partiakë.

Ajo ka thënë se përndjekja politike dhe aplikimi i standardeve të dyfishta nga kabineti i Donika Gërvallës është në rend të ditës.

“Vazhdime të mandateve kemi me dhjetëra raste. Kemi me dhjetëra e dhjetëra pozita vakante nëpër misionet tona diplomatike dhe konsullore. Dhe më e rënda, kemi shkatërrim të imazhit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës. MPJD është sinonim i skandalit dhe i dështimit. Faktet flasin një gjuhë tjetër!”, ka shkruar deputetja Musliu-Shoshi.

Të ngjashme