Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu ka folur në një konferencë për media në prag të derbit të javës së 12-të kundër Prishtinës.
Drita dhe Prishtina do të përballen të mërkurën në Gjilan me fillim nga ora 13:00 në stadiumin me bari sintetik.
Trajneri i tre herë kampionëve të vendit është pyetur në lidhje me kritikat e tifozëve të klubit për mungesën e Besnik Krasniqit ndaj Prishtinës, duke e akuzuar se ka shkaktuar ndërhyrje të panevojshme ndaj Dukagjinit, vetëm për t’u ndëshkuar me karton të verdhë në mënyrë që të mos kishte të drejt loje ndaj ish-skuadrës.
Nuhiu tha se ajo ka qenë rastësi dhe klubi nuk ka asnjë dyshim në lidhje me atë çështje.
“Në ndeshjen e parë Besniku kur mori një karton, kishim ndeshjen e radhës me Drenicën. Por, FFK-ja vendosi që ne ta luanim ndeshjen e mbetur me Prishtinën e cila ia pamundësoi Krasniqit lojën ndaj kryeqytetasve. Vet kam qenë futbollist dhe momentin kur largohesh nga një skuadër në ekipin tjetër, mezi pret takimin me atë skuadër për t’iu treguar se jam futbollist cilësor. Ka qenë rastësi dhe nuk ka asnjë pikë dyshimi për atë çështje”, deklaroi Nuhiu në konferencë për media, raporton Demokracia.com.
Drita është në vendin e parë me 27 pikë. Prishtina zë pozitën e katërt me 15 pikë të grumbulluara./Demokracia.com/