Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka folur për një iniciativë franko-gjermane, që i është propozuar Prishtinës dhe Beogradit, sa i përket dialogut.
Ai tha se nuk ka marrë informacione zyrtare nga Qeveria Kurti, megjithatë shtoi se ka parë pjesë të saj përmes kanaleve diplomatike.
Gjithashtu, deputeti opozitar theksoi se dialogu po rrëshqet në dialog teknik, duke folur për çështjen e targave dhe dokumenteve personale.
“Tani unë nuk kam marrë informacione zyrtare nga Qeveria e Kosovës, por kam parë pjesë të tillë me kanalet tona diplomatike e diplomatë. E para është që ne po futemi në çështje bukur teknike, po flasim për targa e ID dhe prej asaj që është thënë publikisht është që kërkesa e Serbisë është që të bëhet hap pas hapi dhe dalëngadalë”, shtoi ai.
“Po flitet më tepër për normalizim sesa njohje. Çështja me Serbinë duhet të përfundojë me njohje reciproke. Gjithçka tjetër zgjidhet pas njohjes”, ka thënë Abdixhiku në RTV Dukagjini.
Sipas tij, pa përfshirjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk mund të ketë zgjidhje e sukses në dialogun Kosovë-Serbi.