Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Paskal Milo ka folur për disa opsione kompromisi për arritjen e një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë.
Milo ka theksuar se ka disa opsione kompromisi për të arritur në “momentin final”. Madje ai tha se e ShBA-ja dhe BE-ja, janë duke punuar për gjetjen e një marrëveshje të ndërmjetme. Në emisionin “Republika”, Milo ka sqaruar se çka nënkupton marrëvehsja e ndërmjetme.
“Ka edhe zgjidhje të ndërmjetme që unë besoj se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian janë duke punuar për të gjetur zgjidhje të ndërmjetme kompromisi. Kjo nënkupton që Serbia të mos bëhet pengesë për njohjen ndërkombëtare dhe të arrihet marrëveshje midis Serbisë dhe Kosovës për çështje me karakter praktik, të dobishëm për të dy vendet, por pa pretenduar që Serbia të bëjë njohjen zyrtare të Kosovës apo të shkëmbejë ambasadorë. Pra njihen format e ndërmjetme, njihen forma të tilla në praktikat ndërkombëtare që janë kompromise të mëdha, të dobishme, të domosdoshme dhe të pashmangshme”, tha ai.
I ftuar në Tëvë 1 , ish-ministri i Punëve të Jashtme, theksoi modelin e dy Gjermanive që sipas tij, kjo përvojë mund të përshtatet me kushtet dhe rrethanat aktuale.
“Do të vijë momenti dhe unë besoj se komuniteti ndërkombëtar, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian janë në kërkim të këtyre formave të ndërmjetme të njohjes siç kishte psh në vitin 1972 më duket në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ku u mor vendimi që të pranoheshin të dy shtetet gjermane të ndara, Gjermania Federale Perëndimore dhe Gjermania Lindore. U arrit kompromisi që këto dy vende të pranoheshin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe u bë u pranuan por kjo nuk do të thotë që ato dy vende lidhën marrëdhënie diplomatike mes tyre”, tha tutje Milo.