Të hënën është mbajtur seanca për shqyrtimin e kërkesës së anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët janë edhe anëtarë të Kuvendit të Komunës së Prishtinës.
Në këtë seancë, palët kanë paraqitur pretendimet e tyre për dhe kundër caktimit të masës së sigurimit në projektin e NPB-së në lagjen “Lakrishte”.
Mbrojtja e NPB-së dhe konsorciumit të kompanive ka bërë me dije se ky rast tani më është i trajtuar pasi që Qeveria e Kosovës përmes Avokaturës Shtetërore ka kërkuar të njëjtën gjë me të njëjtat argumente dhe gjykata e ka refuzuar këtë kërkesë dhe pretendimet pothuajse të njëjta.
Gjyqtari i lëndës ka dëgjuar palët në një takim të mbushur me anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje të cilët për shkak të pjesëmarrjes masovike, është dashur të ndryshohet edhe salla e gjykimit për ti akomoduar të gjithë të interesuarit.
Kësisoj, partia në pushtet po tenton që përmes njerëzve të saj t’i bëjë presion institucioneve të drejtësisë.
Madje, për këtë temë, deputetja e LVV-së, Tinka Kurti ka bërë një postim në Facebook, duke treguar pjesëmarrjen e saj në seancën gjyqësore.
Kurti ka qenë bashkë me të paktën pesë deputetë tjerë nga Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes.
Përveç Kurtit, aty shihet edhe Enver Dugolli, Adnan Rrustemi, Arjeta Fejza, Enver Maloku dhe Salih Zyba.
Në anën tjetër, aktvendimi në lidhje me padinë e Lëvizjes Vetëvendosje ndaj Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB) pritet të publikohet brenda javës.
Gjykata pritet që brenda javës të marrë vendimin lidhur me kërkesën e LVV-së për vendosjen e masës së përkohshme ndaj projektit të Ndërmarrjes Publike Banesore për ndërtimin e objektit afaristo-banesor në lagjen “Lakrishte”.
Ndërkohë, gjatë një konference për media para fillimit të seancës, zyrtari i LVV-së, Egzon Azemi deklaroi se projekti “është shumë i dyshimtë” dhe pretendoi se “17 mijë metra katrorë të qytetarëve janë në rrezik”.
VV-ja i ishte drejtuar në muajin gusht Gjykatës Themelore të Prishtinës, me padi për caktimin e masës së sigurisë ndaj kontratës “për ndërtimin e objektit të përbashkët banesor-afarist”, e lidhur mes NPB-së dhe një konsorciumi privat.
Lidhur me rastin, NPB-ja është ballafaquar në gjykatë edhe me padi nga Qeveria e Kosovës, por rastin e ka fituar me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Më 21 prill të këtij viti, Gjykata e Apelit ka refuzuar padinë e Qeverisë së Kosovës për caktimin e masës së sigurisë ndaj projektit të iniciuar nga NPB-ja.
Po ashtu, paraprakisht në muajin shkurt, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka rrëzuar të njëjtën padi të Qeverisë së Kosovës kundër Ndërmarrjes Publike Banesore.
Projekti për objektin afaristo-banesor në “Lakrishtë”, i cili është iniciuar nga NPB-ja dhe do të ndërtohet në partneritet publiko-privat, ishte pezulluar pas padisë së ushtruar nga Ministria e Ambientit.