Lulëzimi i luleve të qershisë në Japoni këtë vit, simptomë e krizës më të madhe klimatike.
Japonia është e njohur për lulet e famshme të qershisë, lule të bardha dhe rozë, që lulëzojnë në stinën e pranverës.
Lule, të cilat përjetojnë një “lulëzim kulmi” që zgjat vetëm disa ditë, janë nderuar në Japoni për më shumë se një mijë vjet. Turmat festojnë me ahengje shikimi, duke u dyndur në vendet më të njohura për të bërë foto dhe për të bërë pikniqe poshtë degëve, sipas CNN, transmeton Demokracia.com.
Por këtë vit, sezoni i lulëzimit të qershisë ka ardhur dhe ka ikur sa hap e mbyll sytë, më 26 mars, një nga lulëzimet më të hershme të regjistruara – dhe shkencëtarët paralajmërojnë se është një simptomë e krizës më të madhe të klimës që kërcënon ekosistemet kudo që ndodhen.
Lulet e qershisë në Kioto, Japoni, po lulëzojnë rreth 10 ditë më herët sesa 100 vjet më parë, sipas hulumtimit në International Journal of Biometeorology. Lulëzimi i hershëm përkon me rritjen e temperaturave, duke sugjeruar që ndryshimi i klimës po ndikon në gjatësinë e stinëve të rritjes.
Stinët e këtij viti në veçanti ndikuan në datat e lulëzimit. Dimri ishte shumë i ftohtë, por pranvera erdhi e shpejtë dhe jashtëzakonisht e ngrohtë, kështu që sythat janë plotësisht të zgjuar pas pushimit të mjaftueshëm, transmeton demokracia.com.
Datat e lulëzimit të kësaj lule zhvendosen çdo vit, në varësi të faktorëve të shumtë, përfshirë motin dhe reshjet. Në Kioto, data e pikut qëndronte rreth mesit të prillit për shekuj, sipas të dhënave të Aono, por filloi të lëvizte në fillim të prillit gjatë viteve 1800. Data është zhytur në fund të marsit disa herë në historinë e regjistruar.
Lulëzimi i tyre i hershëm, megjithatë, është vetëm maja e ajsbergut të një fenomeni mbarëbotëror që mund të destabilizojë sistemet natyrore dhe ekonomitë e vendeve, tha Amos Tai, asistent profesor i shkencës së tokës në Universitetin Kinez të Hong Kong.
Ekzistojnë dy burime të nxehtësisë së rritur, e cila është faktori kryesor që i bën lulet të çelin më herët: urbanizimi dhe ndryshimi i klimës. Me rritjen e urbanizimit, qytetet priren të bëhen më të ngrohta se zona rurale përreth, në atë që quhet efekti i ishullit të nxehtësisë. Por një arsye më e madhe është ndryshimi i klimës, i cili ka shkaktuar rritjen e temperaturave në të gjithë rajonin dhe botën.
Dhe këto data të hershme nuk janë vetëm çështje turistësh që përpiqen të kapin lulëzimin e pikut përpara se të bien të gjitha petalet – kjo mund të ketë një ndikim të qëndrueshëm në ekosistemet e tëra dhe të kërcënojë mbijetesën e shumë specieve. /Demokracia.com/