Lajme
Haki Abazi “gjelbërohet” në Kuvend, nis shkëputjen e ngadalshme nga Lëvizja Vetëvendosje
Demokracia
13:59 | 16 Tetor 2022

Share:

Më në fund, pas mospajtimeve të vazhdueshme, Haki Abazi e ka marrë guximin që ta fillojë një “ndarje” të ngadalshme me Lëvizjen Vetëvendosje.

Pasi i shprehu pakënaqësitë e tij në publik me shefen e Grupit Parlamentar të LVV-së, tani Haki Abazi ka njoftuar edhe për formimin e Grupit të Gjelbër në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Duke mos pasur as kush ta prezantojë, Abazi ka treguar se kryesues i grupit vullnetar të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovë të quajtur ‘Grupi i Gjelbër i Deputetëve’ është vetë ai, z. Haki Abazi – deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Demokracia.com në dhjetor të vitit të kaluar kishte raportuar për planet e Haki Abazit, që ta krijonte Partinë e Gjelbër në Kosovë, por kjo ishte mohuar nga ai.

A po e krijon Partinë e të Gjelbërve, Haki Abazi? – Maloku: S’guxon Hakia me m’thirrë

Brenda Lëvizjes Vetëvendosje ka kohë që përflitet se Haki Abazi është duke u përpjekur që të krijojë një subjekt të ri politik, i cili do të merret kryesisht me çështje ambientale dhe do të jetë edhe pjesë e partive të gjelbra evropiane.

Fillimisht thuhej se Abazi së bashku me disa bashkëpartiakë të tij mund ta rikthejnë Partinë e të Gjelbërve, por aktualisht ky subjekt nuk është aktiv për shkak të një vendimi nga gjykata.

Kreu i kësaj partie, Daut Maloku, kishte thënë për Demokracia.com se nuk ka marrë një ofertë të tillë nga Abazi.

I kontaktuar nga Demokracia.com, Maloku kishte thënë se Abazi nuk guxon as ta kontaktojë atë për një gjë të tillë. Megjithatë, ai nuk e ka mohuar faktin se Abazi mund të kontaktojë me të përmes, siç e ka thënë ai, ndonjë mesiti.

“Kush Haki Abazi a? Haki Abazi nuk guxon me fol me mua, s’ma merr mendja, e njoh unë atë. Tjerët liderë po. Na jemi aq të kërkuar saqë nuk ka parti të madhe që nuk na kanë kërkuar bashkëpunim. Jo assesi, Hakia nuk guxon mem telefonu, ishalla nuk ja ka qorru zoti sytë e më e bë hor. Jo, jo, nuk ka provu. Ai mundet me çu najfarë mesiti, por nuk besoj, ai i dinë principet e mia”, kishte thënë Maloku për Demokracia.com.

Maloku tutje kishte treguar se aktualisht puna e Partisë së Gjelbër është pezulluar, duke shtuar se është duke e planifikuar një rikthim në pranverë.

“Është pezulluar një kohë për shkak të pezullimit nga KQZ-ja. Dmth edhe nga Gjykata, edhe nga PZAP-ja. Ne kemi marrë pjesë në 3 palë zgjedhje. Zgjedhjet janë të mira, por politikat janë radikale. Edhe pandemia sigurisht ka ndikuar. Ne duhet me e bë një fushatë, me u kthye në skenë, duhet prapë me u regjistru, me i marrë nja 5 mijë nënshkrime, edhe fillojmë dikur kah pranvera i rikthehemi agjendës”, ka thënë Maloku.

Grupi i Deputetëve të Gjelbër i kryesuar nga Haki Abazi, që ndryshe njihet edhe si “gjuetar i fondeve”, sidomos në këtë periudhë kur institucionet më të rëndësishme ndërkombëtare po i orientojnë donacionet kah projektet me fokus ruajtjen e mjedisit, do të jetë një dritare e hapur për bashkëpunim dhe avancim të debatit me shoqërinë civile dhe aktivistët e mbrojtjes së mjedisit./Demokracia.com/

Të ngjashme