Sport
Paqarada largohet përkohësisht nga Kombëtarja, FFK-ja hesht
Demokracia
14:33 | 05 Prill 2021

Share:

Mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës, Leart Paqarada ka vendosur të mos jetë pjesë e ‘Dardanëve’ për aq kohë sa përzgjedhës të jetë, Bernard Challandes.

Paqarada përmes llogarisë së tij në Instagram ka shkruar se deri te ky vendim ka ardhur për shkak të siç ka thënë ai, injorimit dhe mos aktivizimit nga trajneri, Challandes, shkruan Demokracia.com

“I mbështetur për muri nga degradimi që më është bërë në vazhdimësi nga trajneri, mos angazhimi në lojë prej vitesh, përkundër ftesave për të luajtur, mosrespekti dhe injorimi nga ai, më detyrojnë që të vendos që përkohësisht të largohem nga dispozicioni për të luajtur në ekipin që udhëhiqet nga Bernard Challandes. Përzgjedhjen për të luajtur për Kosovën, krahas Shqipërisë apo në përfaqësueset e grupmoshave të Gjermanisë, e kam bërë pa asnjë mëdyshje. Gjë të cilën do ta bëj përsëri. Por jo nën drejtim të Bernard Challandes”, kishte shkruar Paqarada.

“Përkundër respektimit maksimal ndaj vendimeve të trajnerit, kam ardhur në pikën që ta mbroj dinjitetin tim nga ai. Si bir i Kosovës, jam i gatshëm të kontribuoj duke luajtur për Kombëtaren nga momenti kur të vij trajneri i ri. Dashuria ime për Kosovën dhe familjen time është më e madhe se mosrespektimi dhe injorimi i trajnerit. Trajnerët janë të përkohshëm ndërsa Kosova është e përhershme. Ky vendim i rëndë është momental”, kishte shtuar Paqarada.

Demokracia.com ka tentuar të kontakojë me sekretarin e përgjithshëm të Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihun dhe drejtorin e Kombëtares, Muharrem Sahitin, por ata kanë qenë të paqasshëm.

Paqarada ka 21 ndeshje me fanellën ‘dardane’ dhe ka regjistruar një gol.

26-vjeçari, momentalisht mbron ngjyrat e skuadrës nga kategoria e dytë e futbollit gjerman, St.Paulit. /Demokracia.com

 

Të ngjashme