Sport
Ylli shqiptar i Maqedonisë së Veriut: Gjermaninë duam ta mposhtim sërish
Demokracia
14:27 | 05 Prill 2021

Share:

Anësori i Leeds United dhe përfaqësueses së Maqedonisë së veriut, Ezgjan Alioski ishte një nga të ftuarit e emisionit “Zona Gol”. Futbollisti me origjinë shqiptare foli për suksesin historik ndaj Gjermanisë dhe paraqitjet në kampionatin anglez, ku ka për trajner një “të çmendur” si Marselo Bielsa.

Na fol pak për atë fitore historike të Maqedonisë së Veriut ndaj Gjermaninë…

Shkuam me shumë dëshirë, sepse e dinim që nuk kishim gjë për të humbur dhe ishte mundësia të tregonim cilësinë tonë. Luajtëm shumë mirë taktikisht dhe është një fitore që do mbahet mend gjatë. Asnjë përfaqësuese ballkanike nuk ka fituar në Gjermani. Skuadrën 4 herë kampione të botës vjen Maqedonia e vogël dhe e mposht. Duhet ta shijojmë dhe besoj se do mbahet mend gjithmonë, por për të shkuar në botëror na duhet ta mposhtim sërish Gjermaninë në shtëpinë tonë..

Cili është çelësi i suksesit të Maqedonisë së Veriut?

Kemi individualitete me shumë cilësi, kemi shumë talente. 11-shja titullare përgjithësisht luan jashtë Maqedonisë dhe kjo besoj na ka ndihmuar edhe me shumë. Organizimi ka qenë jashtëzakonisht i mirë, fillon nga sistemi i moshave e deri tek kombëtarja A. Ka nisur gjithçka nga presidenti Sejdini, më pas trajneri, lojtarët. Kemi shumë vetëbesim, pasi kemi 5-6 vite së bashku dhe nuk jemi thjesht kolegë, jemi vërtetë miq me njëri tjetrin, kemi një grup të bashkuar.

Keni filluar të mendoni për Kampionatin Europian?

Është ende herët për ta ndjerë aromën e Europianit, por mendoj se kur të vijë momenti do të kemi shumë emocione, të gjithë, madje edhe Pandev që ka fituar Champiosn Leaguen. Do të jetë një ndjenjë e papërjetuar më parë, por do shkojmë me shumë dëshirë sepse kjo është pjesëmarrja e parë dhe nuk i dihet kur mund të jetë pjesëmarrja e radhës në Europian për Maqedoninë e Veriut. Duhet ta shijojmë. /Demokracia.com

Të ngjashme