Lajme
“Gjaku lahet me gjak” – Mediat në Itali i druhen një tjetër konflikti mes familjeve kosovare
Demokracia
12:57 | 15 Tetor 2022

Share:

Vrasja e Ragip Kolgecit në Itali, vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes në mediat italiane.

Për ditën e tretë me radhë, ato i kanë kushtuar një artikull vrasjes së kosovarit që tronditi Italinë.

Deri te vrasja gjithçka dyshohet se nisi nga një borxh 500 eurosh. Por, mediat italiane i frikësohen se ky krim mund të mos ndalet këtu, transmeton Nacionale.

Il gazzettino, gazetë e shtypur në Itali, përmend Kanunin që është tek shqiptarët, si frikë që vrasjet mes dy familjeve mund të vazhdojnë.

Kurse, familjarët e viktimës Kolgeci, kanë treguar se të dyshuarit janë anëtarë të bandave.

“Natyrisht se jemi të frikësuar. I kanë arrestuar vetëm dy veta. Personat tjerë të bandës janë të gjithë të lirë. Nuk ka vend për të qëndruar të qetë”, kanë thënë familjarët Kolgeci për shtypin në Itali.

Nipi i tashmë të ndjerit, Afrim Kolgeci, ka deklaruar para organeve të hetuesisë italiane se kishte qenë i pranishëm në vendin e ngjarjes në momentin kur iu vra daja i tij të mërkurën në mbrëmje.

“Unë jam nipi i Ragip Kolgecit. Firma është e vëllezërve tanë. Daja (viktima) gjithmonë ka punuar në ndërtimtari. Mbrëmë (dmth, të mërkurën mbrëma) isha edhe unë aty. Fatmirësisht, jam i gjallë. Situata nuk duhej të vinte deri në këtë pikë”, deklaroi Afrim Kolgeci.

Ky person ka deklaruar se gjithçka ka nisur nga një fjalosje mes Valmir Gashit dhe birit të Ragipit.

“Më shumë sesa për para, ka të bëjë me respekt. Ka qenë përleshje mes të rinjve. Ne jemi një familje. Ata të tjerët (duke aluduar në familjet Manxhuka dhe Gashi) janë bandë e jo familje. Kanë ftuar njerëz tjerë të lidhur me bizneset e tyre dhe kanë arritur tjerë shqiptarë në vendin e ngjarjes. Gjithçka ka nisur nga një fjalosje mes Valmir Gashit dhe birit të Ragipit”, tha Afrim Kolgeci.

Të ngjashme