Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, ka kritikuar deklarimet e Qeverisë së Kosovës për zhvillimin ekonomik.
Mustafa ka thënë se qëllimi i Qeverisë është që të varfërojë qytetarët.
““Zhvillimi i pashembullt ekonomik” nuk po mund të dalë nga letrat propaganduese të Qeverisë e të takojë realitetin e xhepit të qytetarëve. Atje, në realitetin e ftohtë të përditshëm ku takohet kuleta e qytetarit me çmimet gjithnjë në rritje të bukës, vajit, miellit, vezëve, derivateve, energjisë elektrike dhe çdo gjëje tjetër, dëmet e dështimit të pashembullt ekonomik janë të thella. Si për inat të Qeverisë së padijshme, pak ditë më parë Banka Botërore deklaroi se parashikonin një rritje reale të ekonomisë kosovare për vetëm 3,1% për sivjet. Sot, Fondi Monetar Ndërkombëtar kumtoi lajmin edhe më të keq, rritja reale pritet të jetë vetëm 2,7%! Sa e ultë do të jetë rritja reale e ekonomisë deri në fund të vitit? Varet edhe sa dëme e keqmenaxhime tjera do ja bëjë Qeveria ekonomisë këta dy muaj e gjysmë. Të barabartë në varfëri është qëllimi i tyre. Dështimi i Pashembullt Ekonomik është trashëgimia e tyre”, ka shkruar Mustafa në Facebook.