Kryeministri i vendit, Albin Kurti, në mbledhjen e 100-të të Qeverisë Kosovës ka thënë se për një vit e gjysmë vendi ka shënuar rritjen historike ekonomike.
Ai ka folur për disa nga të arriturat, sfidat e problemet që ai konsideron se Qeveria e tij është përballur me to.
“Kemi mbajtur 100 mbledhje dhe si moment është i përshtatshëm për të veçuar disa nga të arriturat kryesore. Duke u udhëhequr nga zotimi ynë elektorale punë dhe drejtësi ne kemi premtuar se do të ndërmarrim ndryshime sistemore krahas llogaridhënies”, tha Kurti.
“Janë ndalur ndërhyrjet politike në procesin e emërimeve. Janë ngrirë mbi 3 milionë euro në kuadër të hetimeve për financim të paligjshëm dhe shpërlarje të parave. Është dërguar raport në prokurori nga kontratat që i kemi trashëguar për kinse rregullim të shtretërve të lumenjeve, dhe pikërisht aty ne vazhdojmë të kemi vërshime. Është formuar taskë-forca për parandalimin e keqpërdorimit të subvencioneve. Janë anuluar qindra projekte si rezultat i mungesës së dokumentacionit. Është fituar një rast në Arbitrazh, ku buxhetit i janë kursyer 65 milionë euro. Kemi zgjidhjen e problemit shumëvjeçar për mosnjohje të diplomave. Në përgjithësi janë shlyer obligimet e trashëguara financiare gjatë viteve”, tha Kurti.
Ai përmendi edhe sistemin e drejtësisë, teksa për gjyqësorin tha se po tregohet jo-efikas.
“Kemi të trashëguarit e proceseve të fragmentuara e të dyfishuara të planifikimit, dhe jemi në proces të unifikimit në një të vetëm. Kemi trashëguar jofleksibilitetin e ligjit aktual për zyrtarët publik, kemi mungesën e politikave strategjive. Rreth 400 ligje janë në kundërshtim me njëra tjetrën. Natyrisht që tash nevojiten projektligje për plotësim ndryshim. Domosdoshmëria e reformës në Adminsitratë dhe mungesa e kapaciteteve profesionale. Kemi mungesë të memories institucionale. Sistemi i drejtësisë është përgjithësisht jo-efikas. Me krizat e njëpasnjëshme Qeveria është përballur. Kjo situatë ka ndikuar që planifikimet të jenë më afatshkurta. Kemi edhe rritjen e çmimeve që ka ndikuar në mungesën e investimeve kapitale. Neglizhencën, vonesat në punë dhe jo-llogaridhënia nga pjesëtarë të administratës”, tha ai.
Kurti s’u ndal me kaq, tha se nën Qeverinë e tij ka rritje “historike ekonomike”.
“Përkundër dukurive negative e sfidave, si Qeveri kemi arritur më shumë sukses se çdo Qeveri e kaluar pararendëse për një vit e gjysmë. Një vit e gjysmë rritje e anti-korrupsion. Qeverisje socialdemokrate me stabilitet institucional. Kemi kthyer sistemin e financave publike në binar, kemi ulur borxhin publik. Dëshmon përgjegjësi për paranë publike. Vitin e kaluar kemi pasur rritje ekonomike historike në vendin tonë, prej 10.7 për qind. E në çerekun e parë të këtij viti kemi rritje prej 4.9 për qind pasi të zbritet inflacioni. Kemi rritje enorme të hyrave buxhetore, trend që po vazhdon edhe këtë vit”, ka thënë Kurti.
“Një vit e gjysmë rritje dhe antikorrupsion. Kemi rikthyer sistemin e financave publike në binar duke ulur borxhin publik. Kemi ofruar mbi 750 mbështetje për qytetarët dhe bizneset. Kemi rritjen ekonomike historike në vendin tonë. Në vitin 2021 të hyrat e doganës janë rritur për 30.8 për qind. Kemi shlyerje të borxheve qindra milionë euro. Kemi bërë luftim të pakompromis të punës jo-formale dhe kontrabandës. ATK ka parandaluar dëmtim të buxhetit për mbi 12 milionë euro”, tha kryeministri.