Lajme
Vriten dy anëtarë të forcave të sigurisë gjatë protestave në Iran
Demokracia
22:12 | 09 Tetor 2022

Share:

Dy anëtarë të forcave të sigurisë të Iranit janë vrarë në protestat që janë duke vazhduar kundër autoriteteve atje.

Dhjetëra protestues janë vrarë, që nga fillimi i trazirave, muajin e kaluar pas vdekjes së 22-vjeçares, Mahsa Amini.

Një anëtar i policisë paraushtarake u vra nga një e shtënë me armë zjarri, në një nga vendet e protestës në Teheran.

Gjithashtu, u vra edhe një anëtar i Korpusit të Gardës së Revolucionit Islamik (IRGC) të shtunën gjatë protestave në Sanandaj, kryeqyteti i provincës Kurdistan.

Protestat gjatë fundjavës u raportuan në të gjithë vendin, duke përfshirë Teheranin dhe Sanandajn.

Agjencia zyrtare e lajmeve Irna njofton se forcat policore përdorën gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat në dhjetëra lokacione në Teheran, dhe se demonstruesit kishin brohoritur dhe kishin djegur e dëmtuar pronën publike, duke përfshirë një kabinë policie.

Në protesta të ngjashme, në një numër qytetesh të tjera, demonstruesit hodhën koktej molotovi në xhamitë, qendrat e Basij dhe zyrat e imamëve, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv

Për këtë ka reaguar edhe ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, e cila ka bërë thirrje për masa të ashpra kundër secilit që është përgjegjës për shtypjen e protestave.

Ndërsa në Norvegji, grupi i Iranit për të drejtat e njeriut tha se 185 njerëz ishin vrarë që nga fillimi i trazirave, duke përfshirë 19 fëmijë.

Sipas mediave vendase, numri më i madh i vrasjeve ka ndodhur në provincën Sistan dhe Baluchistan të Iranit.

Kujtojmë se në Iran protestat shpërthyen pas vdekjes së Mahsa Amini, e cila u arrestua në Teheran nga policia, pasi dyshohet se nuk e mbajti shaminë.

Kurdja iraniane 22-vjeçare vdiq në paraburgim më 16 shtator, tre ditë pas arrestimit të saj.

Të ngjashme