Kryeministri Albin Kurti nxiti reagime te njohësve të ekonomisë me një postim që e bëri në mbrëmje për progresin ekonomik të vendit. Të dhëna për ekonominë e vendit ofroi edhe zëvendëskryeministri Bislimi gjatë seminarit të 102-të Rose-Roth të Asamblesë Parlamentare të NATO-s.
Në këtë seminar, Bislimi përmendi rritjen ekonomike të Kosovës prej 10.7 % të vitit e kaluar.
“Gjatë vitit të kaluar, Kosova ka shënuar rritje ekonomike dyshifrore prej 10.7%, ka patur rritje të madhe në eksportet prej më shumë se 67% në baza vjetore, rritje të investimeve të huaja direkte dhe përpjekje të suksesshme në drejtim të formalizimit të ekonomisë. Gjithashtu, të hyrat buxhetore u rritën me mbi 30%”, tha Bislimi.
Ai gjithashtu ka folur edhe për objektivat e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, liberalizim të vizave dhe objektivin e aplikimit për anëtarësim në BE.
Postimi i plotë i Bislimit:
Në seminarin e 102-të, Rose Roth i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, fola mbi agjendën e rëndësishme dhe ambicioze këtë vit të Kosovës, ku tashmë kemi aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës, është vendosur në krye të agjendës çështja e liberalizimit të vizave dhe është punuar me shtetet anëtare në këtë drejtim. Kemi shfaqur objektivin e aplikimit për anëtarësim në BE brenda këtij viti, kur kanë kaluar 6 vite që nga fillimi i zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit dhe Kosova mbetet vendi i vetëm i cili akoma nuk ka aplikuar për anëtarësim në BE.
Në agjendën e reformave evropiane dhe përafrimit me standartet e BE-së, është rritur me 70% numri i ligjeve të miratuara dhe proceduara në parlament gjatë vitit të fundit, në krahasim me vitin me numrin më të lartë që është 2008-ta. Një numër i konsiderueshëm i këtyre ligjeve, i përkasin fushës së sundimit të ligjit, që është dhe indikator i vëmendjes së Qeverisë ndaj luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Gjithashtu, është shprehur objektivi për anëtarësim në NATO, duke nisur nga anëtarësimi në mekanizmin e Partneritetit për Paqe.
Përtej sfidave me të cilat është përballur jo vetëm Kosova por edhe i gjithë kontinenti evropian, nga efektet e pandemisë së Covid-19, deri tek krizat e shkaktuara nga agresioni rus në Ukrainë, si ajo e energjisë dhe inflacioni, vendi ynë ka shënuar progres në fusha të ndryshme
Rritja ekonomike duhet të jetë e qëndrueshme, me theks të veçantë tek stabiliteti social dhe shpërndarja e barabartë. Gjatë vitit të kaluar, Kosova ka shënuar rritje ekonomike dyshifrore prej 10.7%, ka patur rritje të madhe në eksportet prej më shumë se 67% në baza vjetore, rritje të investimeve të huaja direkte dhe përpjekje të suksesshme në drejtim të formalizimit të ekonomisë. Gjithashtu, të hyrat buxhetore u rritën me mbi 30%.
Ky progres, reflektohet dhe në rankimet botërore si rritje me 17 pozicione në indeksin e Transparency International e po ashtu 17 vende në indeksin e lirisë së medias, World Freedom. Ndërkohë, sipas World Justice Project, për vlerësimin e sundimit të ligjit, Kosova është e 60-ta në botë dhe e para ndër gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.