Deputetët e Kuvendit sapo kanë miratuar Projektligjin për Institutin e Krimeve të Luftës në Kosovë.
58 deputetë ishin për, katër kundër dhe asnjë abstenim.
Deputetja e VV-së, Saranda Bogujevci, ka thënë se Projektligji për Institutin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë është një nga më të rëndësishmit.
Bogujevci tha se çështja e dokumentimit të krimeve të luftës nuk është hulumtim shkencor, derisa shtoi se të dhënat e mbledhura mund të shërbejnë në të ardhmen si padi.
“Mendoj që është njëri prej projektligjeve më të rëndësishme dhe sinqerisht nuk e prita që diskutimi do të vijë deri në këtë pikë. E para nuk është hulumtim shkencor çështja e dokumentimit të krimeve të luftës për shkak se nuk janë duke u bërë hulumtime shkencore ku kanë me pasë publikime në lidhje me këtë çështje”.
“Kam qenë pjesë e hulumtimeve dhe dokumentimeve, specifikisht me rastin e familjes time, e di çka nënkupton”.
“Çështja e hulumtimit dhe dokumentimit lidhet si njëfarë forme të një dëshmie që jep secili individ, qoftë që ka përjetuar një diçka vet, qoftë që ka qenë dëshmitar. Nuk është një hulumtim shkencor. Hulumtimi shkencor nënkupton kur mblidhen të dhënat edhe dalin ato të dhëna, këtu e kemi fjalën kur bëhet hulumtim dhe dokumentim i të dhënave që shërbejnë pastaj për hulumtime shkencore, por edhe për çështja të tjera, mundet me qenë edhe për padi”.
“Këto gjëra nëse është e nevojshme mund t’i bëjmë edhe më thellë, t’i hulumtojmë edhe më thellë për me pa se si bëhet plotësimi i ligjit, nëse mendoni që ka elemente të caktuara në ligj që duhet të plotësohen”.