Qeveria e Kosovës e ka sponsorizuar një artikull në revistën e njohur franceze “Petit Fute” si vend ku lindën manastiret ortodokse serbe.
Në këtë artikull të sponsorizuar nga Agjencia Kosovare për Promovimin e Investimeve (KIESA) Kosova paraqitet si vend i lashtë, por nuk kuptohet qëllimi i qeverisë e cila në këtë artikull të sponsorizuar e paraqet Kosovën vend ku lindën kishat ortodokse serbe.
“Ajo gjithashtu ka qenë një tokë bizantine ku lindën manastiret e saj madhështore ortodokse serbe”, thuhet në shkrimin e sponsorizuar nga buxheti i taksapaguesve kosovarë.
Në vazhdim të artikullit thuhet se Kosova ishte vendi më i varfër deri në shkurtin e vitit 2022 prej kur sipas artikullit ka filluar të fryj erë lirie.
Për këtë skandal ka folur në Kuvend edhe shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri.
Ai tha se Ministria e Tregtisë dhe Ndërmarrësisë ka promovuar një artikull në një revistë franceze ku Kosovën e paraqet si vend “ku kanë lindur ‘manastiret madhështore’ të Kishës Ortodokse Serbe”.
“Nuk e besoja”, tha Tahiri, “mendoja se është ngatërruar me Qeverinë e Republikës së Serbisë”.
“Dje kam marrë një telefonatë nga një bashkëatdhetar i ynë në Francë ku më thotë se qysh është e mundur që Qeveria e Republikës së Kosovës të promovojë Kosovën si një vend ku kanë lindur Manastiret Madhështore të Kishës Ortodokse Serbe”.
“Si ka mundësi që Qeveria e Republikës së Kosovës ta promovojë Kosovës si vend ku kanë lindë Manastire Madhështore të Kishës Ortodokse Serbe?”, pyeti Tahiri.
Kjo është doktrinë e Serbisë dhe është skandaloze të promovohet me para të taksapaguesve kosovarë një artikull i tillë, u shpreh Tahiri.
“Çka me thanë ma tutje [Aleksandar] Vuçiçi, [Vuk] Jeremiçi, [Boris] Tadiçi ose ai tjetri. A po e shihni çfar argumente ju po i jepni kundërshtarëve të Republikës së Kosovës që nesër ta ngrisin në Këshillin e Sigurimit të OKB-së?”, tha Abelard Tahiri.
Tahiri tha se fillimisht “nuk mund t’i besonte” mikut të tij që ia dërgoi këtë revistë ku artikulli ishte i sponzoruar nga Qeveria e Kosovës, dhe se ka kërkuar përkthim zyrtar.