Sport
Zagklis me drejtuesit e FBK-së takohet me krerët e KOK-ut
Demokracia
16:02 | 06 Tetor 2022

Share:

Sekretari Gjeneral i FIBA Botës, Andreas Zagklis gjatë vizitës në Kosovë, së bashku me drejtuesit e FBK-së, Kryetarin Arben Fetahu, Sekretaren e Përgjithshme, Elvira Dushku dhe anëtarin e Bordit, Leart Hoxha janë takuar me krerët e Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Kryetarin Ismet Krasniqi dhe Sekretarin e Përgjithshëm, Besim Aliti.

Drejtuesit e lartë të FBK-së gjatë takimit kanë potencuar punën që Federata po bën për edukimin e trajnerëve, si dhe zhvillimin e masivizimin e basketbollit 3×3.

Në anën tjetër, Zagklis ka kërkuar nga KOK mbështetje për FBK-në sa i përket zhvillimit të 3×3 në Kosovë, duke shpresuar se Kosova me 3×3 do të arrijë të kualifikohet në Kampionatin Botëror të 3×3 dhe kualifikimet e Lojërave Olimpike të Los Anxhelos 2028.

Krerët e KOK-ut kanë theksuar se do të mbështesin Federatën e Basketbollit, si në edukimin e trajnerëve, po ashtu për 3×3. Tashmë është formuar një Grup Punues mes KOK-ut e FBK-së për zhvillimin e 3×3 në vendin tonë dhe janë duke pritur edhe mbështetjen nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), që ky sport shumë atraktiv të zhvillohet sa më shumë në vendin tonë dhe të jetë i suksesshëm në garat ndërkombëtare.

Në fund të takimit, Andreas Zagklis u ka dhuruar një top të basketbollit krerëve të KOK-ut me nënshkrim të tij, si dhe nga një fanellë të Kombëtares së Kosovës./Demokracia.com/

Të ngjashme