Çështja e Kosovës nuk dihet nëse është në agjendën e Këshillit të Evropës.
Zëdhënësi i Këshillit të Evropës, Daniel Holtgen, ka thënë se diskutimet e Komitetit të Ministrave janë konfidenciale.
“Në terma më të përgjithshëm, procedurat për t’u bërë anëtar i KiE-së janë të përcaktuara në Statutin e KiE-së (veçanërisht në nenet 4, 5 dhe 20) dhe në Rezolutën Statutore që përcakton rolin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në proces. Ne dëshirojmë të tërheqim vëmendjen tuaj për faktin se diskutimet e Komitetit të Ministrave janë konfidenciale. Nuk kemi më shumë informacion në këtë fazë”, është shprehur Holtgen për Klankosova.tv.
Ndërsa sot mediat serbe raportuan se çështja e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës është hequr nga rendi i ditës.
Kujtojmë se Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj të këtij viti.
Ndërkohë, mediat serbe po raportojnë se është e pasigurtë nëse çështja e Kosovës do të jetë në agjendën e Këshillit të Evropës.
Sipas raportimeve atje, misioni serb në Strasburg i ka thënë RTS-it se Beogradi ka arritur ta parandalojë kërkesën zyrtare për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës me përpjekje intensive diplomatike.
“Por se procedurat janë të tilla që nuk do të dihet deri në momentin e fundit nëse sot diskutojeni”.
“Për momentin, Serbia ka arritur të bindë shumicën e shteteve anëtare të Këshillit të Evropës (KE) se kërkesa e Prishtinës për pranim në KE nuk duhet të jetë në agjendën e Komitetit të Ministrave, tha ambasadori në Misionin e Serbia në KiE Aleksandra Gjuroviq”, thuhet në shkrimin e Tanjugut.
Kërkesën zyrtare për pranim në Këshillin e Evropës, Kosova e ka dorëzuar në mes të majit dhe për këtë është dashur të diskutohet sot në Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës.