Qeveria e Kosovës muaj më parë e ka emëruar Bordin e ri të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, në përbërje të shtatë anëtarëve.
Në fillim të korrikut të këtij viti, Qeveria e Kosovës emëroi Bordin e ri të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, përbërja e të cilit është e rregulluar me Ligjin i 04/L-249 për Sigurimin Shëndetësor, përkatësisht nenin 28.
Sipas ligjit, institucione të ndryshme duhet të kenë përfaqësues të tyre në këtë Bord, por me vendimin e Qeverisë po del se Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve nuk ka përfaqësues të saj, raporton Demokracia.com.
Dy anëtarë të këtij Bordi, që përfaqësojnë këtë ministri, nuk janë të ligjshëm.
Ish-drejtori i Thesarit, Ahmet Ismaili, së bashku me Klit Shalën, Zyrtar Ligjor në Ministrinë e Financave, nuk i mbulojnë skemat sociale.
Përveç kësaj, Ismaili nuk i plotëson as kërkesat ligjore, pasi që në fund të muajit korrik i ka skaduar kontrata me Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve dhe rrjedhimisht nuk ka asnjë kontratë pune në sektorin publik dhe emërimi i tij është joligjor.
Po ashtu, vlen të theksohet se Ismaili ishte edhe Drejtor i Thesarit në kohën kur u zhduken 2 milionë euro, për të cilat nuk ka dhënë kurrfarë përgjegjësie ligjore.
Edhe një anëtar tjetër i këtij Bordi mund të mos jetë i denjë për pozitën që i kërkohet, pasi që ai ka edhe një biznes privat.
Bëhet fjalë për Muhamedali Kodrën, i cili në këtë Bord është emëruar si Përfaqësues i Shoqatave të Pacientëve, por i njëjti ka një ordinancë private në Prizren.
Kjo gjë vërtetohet edhe në Agjencinë e Regjistrimit të Bizeneseve, ku Muhamedali Kodra figuron pronar i Ordinancës Stomatologjike “Metident”, shkruan Demokracia.com.
Bazuar në këto të dhëna, vendimmarrja e Bordit Drejtues të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore mund të vihet në pikëpyetje për faktin se anëtarët e tij po e ushtrojnë pozitën e tyre në mënyrë të jashtëligjshme. /Demokracia.com/