Superliga e Kosovës në futboll nesër sjell një ndeshje shumë të fortë, ku ballafaqohen Ballkani – Prishtina nga ora 15:00 në kuadër të javës së 27-të, shkruan Demokracia.com.
Ndeshja mund të përcaktojë fatin e skuadrës së Prishtinës, e cila nëse humb atëherë zbeh gjasat për titull derisa Ballkani me fitore do të bënte një hap të madh drejt trofeut të kampionit.
Kjo është arsyeja të pritet një lojë tejet e fortë dhe e nxehtë.
Prishtina këtë ndeshje e pret e kompletuar derisa skuadrës i janë kthyer edhe dy futbollisët kyç që munguan në ndeshjen ndaj Gjilanit. Mesfushori Qëndrim Zyba dhe sulmuesi Alban Shillova tashmë janë në dispozicion të trajnerit Zekirija Ramadanit.
Njoftimi i plotë i FC Prishtinës:
Ndeshje përcaktuese në Therandë
Prishtinë, 3 prill 2021 – Ballkani nesër e pret Prishtinën në kuadër të javës së 27-të. Distanca ndërmjet skuadrës së parë në renditje dhe asaj të tretë është vetëm 4 pikë. Vendasit do të luftojnë ta thellojnë epërsinë, kurse mysafirët për ta ngushtuar atë. Thjesht ndeshje mjaft përcaktuese për vazhdimin e luftës për titull.
Dy skuadrat në këtë edicion kanë nga një fitore në fushën e saj, Ballkani 2:1 ndërsa Prishtina 1:0.
Në fakt, bardhekaltrit nuk kanë gëzuar formë në dy ndeshjet e fundit kampionale duke marrë vetëm një pikë dhe duke iu bashkëngjitur edhe ndeshjen për Kupë, janë tre ndeshje pa shënuar gol. Dhe, nuk ka rast më të mirë se sa ndaj liderit të tregohet forca e skuadrës dhe me fitore të rikthej fuqishëm betejën për titull.
Skuadrës për këtë ndeshje i rikthehen edhe dy mungesat e theksuara ndaj Gjilanit, mesfushori Qendrim Zyba dhe sulmuesi Alban Shillova.
Java XXVII
Ballkani – Prishtina
E diel, 4 prill – ora: 15.00
Stadiumi i qytetit
Gjyqtarë: Sh. Murtezi, E. Bicaj, F. Jashari, S. Isufi
Drejtpërdrejt në Artmotion. /Demokracia.com