As fotografitë e shpeshta me presidenten dhe as shpërndarja e vazhdueshme e postimeve të saj, nuk po bëjnë punë për subjektin më të ri politik në Kosovë, Guxo, të cilën e kishte ideuar Vjosa Osmani kur garoi në zgjedhjet për Kuvend, me një grup kandidatësh në listën e Vetëvendosjes.
Sipas sondazheve të fundit të kryera nga kompani të ndryshme që bëjnë matjet e disponimit politik të qytetarëve, tregojnë se Lista Guxo (dikur Lista Vjosa) po rritet me hapa breshke, kurse Vetëvendosje e Albin Kurtit po bie jo me shpejtësinë e “vajit në tepsi”, por me shpejtësinë e një orteku bore, shkruan Demokracia.com.
Sipas UBO Consulting, në muajin prill, Lista Guxo kishte vetëm 1.1%, kurse pas disa muajsh, në shtator, kishte një rritje të pavërejtur, në 1.5%. Lajmet nuk janë të mira as për partinë e Kurtit, Vetëvendosjen, e cila në prill kishte 41.9%, por në shtator ra në 37.3%.
Edhe në një sondazh tjetër të kryer nga Instituti PIPOS, që u prezantua këtë javë që po e lëmë pas, të dhënat janë shqetësuese për këto subjekte politike. Lista Guxo ka vetëm 1.6% mbështetje, e Vetëvendosje 37.1%.
Lista Guxo, para disa ditësh ka zgjedhur strukturat e reja drejtuese. Për herë të parë, kjo parti e vogël nuk ka qenë në gjendje ta zgjedh as një kryetar të vetëm, por për t’i menaxhuar pakënaqësitë i ka zgjedhur dy kryetarë – Donika Gërvallën dhe Faton Pecin. /Demokracia.com/