Arbër Sfishta, aktivisti i zellshëm i Lëvizjes Vetëvendosje-Dega në Podujevë është shpërblyer me një pozitë të re të punës nga pushteti, që udhëhiqet pikërisht nga partia ku ai është anëtarë.
Sfishta prej sot do ta gëzoi pozitën e zyrtarit për kulturë në komunën e Podujevës.
Gazeta Insajderi ka siguruar vendimi zyrtarë të lëshuar nga komuna e udhëhequr nga Shpejtim Bulliqi, ku thuhet se Arbër Sfishta është kandidati më i suksesshëm me gjithsej 77.6 pikë.
Në një konkurs të hapur me 22 korrik nga komuna e Podujevës me titullin “Specialistë të Administrimit të Përgjithshëm”, aktivisti i VV-së arriti që të hynte në listën e ngushte për pozitën e zyrtarit për kulturë.
Kurse me datë 23 shtator, ai zyrtarisht fiton pozitën e re të punës.

Në këtë konkurs kishin marrë pjesë edhe gjashtë kandidatë të tjerë, por, të njëjtit nuk arritën të fitojnë vendin e punës.

Aktivizim i Arbër Sfishtës për partinë që e punësoi vërehet përmes postimeve të tij në rrjeti social “Facebook”, rrjet ky ku vërshojnë postimet kushtuar VV-së e kryetarit aktual në Podujevë, Shpejtim Bulliqi.
Sfishta është edhe anëtar i KZAQ-së – Qendra në Besiane.
Muaj më parë, Abedin Zeka një figurat kryesore të Lëvizjes Vetëvendosje-Dega në Podujevë ka marrë zyrtarisht postin e vozitësit në këtë komunë.
Punësimet politike e familjare në Kosovë traditë prej vitesh
Që në institucionet publike të punësohen persona të afërt me politikanë e parti në pushtet nëpër komuna, tashmë ky është fenomeni i denoncuar e raportuar gjerësisht.
Ka shumë raste ku janë raportuar edhe shkelje brenda konkurseve të ndryshme, po për të punësuar njerëz të afërt me partitë në pushtet.
Djali, vajza, nipat e mbesat kanë përfituar jo rrallë herë nga politikbërësit, e sidomos ata të pushtetit në vend.