Drenica ka marrë pikët e plota falë fitores 2:1 kundër Prishtinës në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj.
Kryetrajneri i “kuqezinjve”, Bekim Shotani pas ndeshjes u shpreh i lumtur me futbollistët e tij, duke thënë se ata e donin fitoren.
Shotani nuk kurseu lëvdatat as për Prishtinën për të cilën tha se është një skuadër e përforcuar mirë.
“Së pari duhet t’i falënderoj udhëheqësit e klubit, kryesinë, punëtorët, dhe të gjithë që na kanë përkrahur në çdo moment dhe kanë qenë dora e djathtë. Patën besim te lojtarët dhe te të gjithë. Kjo ka qenë ndihmesë për të gjithë. Kemi nisur shumë vonë përgatitjet, por të përfundosh një ndeshje me këtë ritëm është për t’u përgëzuar. Mburrem me këta djem, karakterin dhe mënyrën se si i kanë kryer detyrat tekniko-taktike. Ishte ndeshje e vështirë pasi patëm një Prishtinë që ka bërë transferime të shumta dhe ka lojtarë me nam, individualisht shumë të mirë. U pa edhe golin kur e shënuan. Por ne nuk u dorëzuam, rrezikuam shumë. Në pjesën e dytë bëmë dy gola dhe kthyem avantazhin. Djemtë u pa që e donin fitoren”, ka thënë Shotani për ArtSport.
Me këtë fitore, Drenica ngritet në vendin e katërt me 11 pikë, aq sa ka edhe Prishtina një pozitë më lart./Demokracia.com/