Hungaria nuk mund të konsiderohet më një vend me demokraci të plotë. Këtë e pohon Parlamenti Europian në një deklaratë pas miratimit të një raporti, me të cilin kërkohej ndërprerja e fondeve të unionit për këtë shtet anëtar.
Ligjvënësit evropianë theksojnë se situata është përshkallëzuar aq shumë saqë Hungaria është shndërruar në një regjim hibrid me “autokraci zgjedhore”.
Në veçanti Parlamenti Europian shpreh keqardhje për mungesën e veprimeve vendimtare të BE-së, gjë e cila ka kontribuar në prishjen e demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave themelore. Kryeministri Viktor Orban, iu përgjigj këtij zhvillimi nga Serbia.
“Sa i përket vendimit të Parlamentit Europian, më duket shumë qesharak. Ne nuk po qeshim me të për të vetmen arsye se kjo po bëhet diçka e mërzitshme. Kjo është një shaka e mërzitshme. Ata po e bëjnë këtë për të tretën apo katërtën herë, duke miratuar rezoluta që dënojnë Hungarinë”, tha Orban.
Në raportin e tyre, eurodeputetët listuan një sërë shqetësimesh, përfshirë atë për funksionimin e sistemit elektoral të Hungarisë dhe pavarësinë e gjyqësorit.
Gjithashtu shprehën frikë për liritë akademike dhe fetare, por edhe për të drejtat e grupeve të cenueshme, përfshirë ato të minoriteteve etnike, komunitetit LGBTIQ, mbrojtësve të të drejtave të njeriut, refugjatëve dhe emigrantëve.