Posta e Kosovës ka vendosur që të bëjë një “modernizim” tek pajisjet motorike. Tash e tutje, porosia nuk do të shkojë te qytetarët me motor, por me motoçikleta elektrike. Për blerjen e tyre do të shpenzohen 206 mijë euro.
Trendit të përdorimit të motoçikletave elektrike nuk i ka shpëtuar as Posta e Kosovës.
Ky institucion ka vendosur të furnizohet më motoçikleta të tilla, duke parashikuar t’i shpenzojë 206 mijë euro, shkruan Demokracia.com.
Në njoftimin e shpallur në e-prokurim tregohet se me këto para do të blihen 70 motoçikleta elektrike.
“Blerja e 70 motoçikletave të reja elektrike me kilometrazh 00. Vlera e parashikuar e kontratës: 206 000,00. Afati i fundit për pranim të tenderëve, aplikacioneve: data 27.10.2022”, thuhet në njoftimin e shpallur.
Në dosjen e tenderit tregohet se motoçikletat duhet të jenë të reja me kilometra 00 dhe duhet të jenë viti i prodhimit 2022 apo 2023.
“Motoçikletat duhet te kenë garancion se paku 1-vjeçar. Motoçikletat duhet të jenë të reja me kilometra 00 dhe duhet të jenë viti i prodhimit 2022 apo 2023 (në pajtim me specifikimet e kërkuara). Gjatë periudhës se garancionit OE duhet të ofroj servis dhe të ofroj listën e pjesëve rezerve me çmime. Afati i liferimit është max 6 muaj nga nënshkrimi i kontratës apo nga marrja urdhëresës AK-Posta e Kosovës SH.A.”, thuhet në shpjegimin e dhënë në dosjen e tenderit, përcjell Demokracia.com.
Po ashtu, Posta e Kosovës ka kërkuar që të gjitha motoçikletat duhet të kenë bagazh mbrapa dhe në pjesën e përparme të tyre.
Motoçikletat duhet të jenë dhe më disa specifika konkrete, për të cilat Posta ka dhënë detaje. Është kërkuar që shpejtësia minimale nuk mund të jetë më pak se 40 km/h.
“Ngjyra e motoçikletës përcaktohet pas nënshkrimit te kontratës. Fuqia e motorit duhet të jetë minimum 2.4 Kw ( 3.2hp ). Jetëgjatësia e baterisë – minimum 2000 mbushje. Bateria duhet të jetë Lithium (Li-ion) me kapacitet minimumi 2400 WH. Koha e mbushjes prej 0-100% nuk duhet të jetë më shumë se 4.5 orë. Distanca që motoçikleta duhet të kaloj me një mbushje është minimumi 85km. Shpejtësia minimale nuk mund te jetë më pak se 40 km/h. Gjithashtu motoçikleta duhet të ketë bagazh në pjesën e pasme të saj, dimensionet e të cilit duhet të jenë 550*350*550 mm. Bagazhi duhet të ketë mbyllje me qelës. Motoçikleta duhet të ketë mundësinë e vendosjes se bagazhit mbrapa. Te qëndrueshme ndaj te gjitha terreneve dhe kushteve klimatike, rezistent ndaj ujit dhe bores si dhe ndaj shpuarjeve të jashtme”, thuhet në kërkesën e Postes së Kosovës. /Demokracia.com/