Jo vetëm që e urojnë njëri-tjetrin në festat fetare, prijësit fetarë të Kosovës vazhdimisht përgjatë historisë kanë treguar tolerancë të lartë ndërfetare.
Një hoxhë, një prift katolik e një pastor protestant, u bënë bashkë për një tjetër vlerë kombëtare, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, shkruan Demokracia.com.
Bashkëjetesa paqësore dhe toleranca në marrëdhëniet ndërfetare, si një vlerë e spikatur dhe e qëndrueshme e popullit shqiptar, u tregua edhe sot kur myftiu Naim Tërnava, ipeshkvi Dodë Gjergji dhe pastori i Kishës Protestante të Kosovës, Artur Krasniqi, u bënë bashkë për t’i vizituar krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët gjenden në paraburgim në Hagë.
Edhe sot kleri fetar na e ilustroi më së miri thënien e Pashko Vasës se “feja e shqiptarit është shqiptaria”, shkruan Demokracia.com.
Me këtë vizitë ata i demantuan akuzat e Gjykatës Speciale, e cila kishte bërë një ndarje fetare skandaloze. Në aktakuzën ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ata në leximin e aktakuzës fillestare kishin ngritur pretendime se ka pasur vrasje edhe në bazë të religjionit, gjë që kishte bërë që ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi të reagonte ashpër.
Delegacioni i klerikëve fetarë nga Kosova u takuan me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe të tjerët, në Qendrën e Paraburgimit në Hagë.
Pas takimit ata kanë uruar që krerët e UÇK-së të kthehen sa më shpejtë në vendin e tyre.
Naim Ternava, kryetar i Bashkësisë Islame në Kosovë, tha për KosovaPress se gjendja shëndetësore e krerëve të UÇK-së është e mirë. Sipas tij, krerët e UÇK-së do ta kalojnë ballafaqimin me gjykatën e drejtësisë dhe do të kthehen në Kosovë si të pafajshëm.
“Sot jam më së i gëzuar që pata rastin që bashkë me ipeshkvin e Kosovës, bashkërisht t’i takojmë ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke filluar te vetë presidenti e tutje. Patëm rastin që të bisedojmë me ata. Gjendja e tyre shëndetësore ishte jashtëzakonisht e mirë dhe besojmë se edhe këtë ballafaqim me gjykatën e drejtësisë, këtu në Hagë, do ta kalojnë dhe do të kthehen sa më shpejtë në Kosovë si të pafajshëm”, tha ai.
Ipeshkvi Dodë Gjergji është shprehur i lumtur për mundësinë e vizitës së krerëve të UÇK-së, derisa ka uruar të kthehen sa më shpejtë në vendin e tyre.
“Po ashtu jam i kënaqur që sot kisha mundësi të bëjë një vepër të mëshirshme, për të vizituar njerëzit që iu mungon mundësia e lirisë. Urojmë që të kthehen sa më shpejtë në shtëpi”, tha ai.
Të dy drejtuesit fetarë dhanë edhe mesazhin e bashkimit, pa marrë parasysh përkatësitë fetare.
Dodë Gjergji tha se vetëm të bashkuar mund ta gjejmë rrugën e përbashkët për ta zhvilluar vendin.
“Cilado ndasi që mund t’i kenë, të mund të jenë të bashkuar dhe të gjejnë rrugën e përbashkët për ta çuar jetën, vendin dhe familjen para”, tha ai.
Ternava, po ashtu, tha se pavarësisht besimeve fetare, kjo vëllazëri duhet kultivuar edhe te gjeneratat e reja. Sipas tij, kur gjithë populli është bashkë është më lehtë të tejkalohen edhe sfidat.
“Është simbolikë që kombi shqiptar trashëgon me shekuj. Ne kemi qenë dhe jemi së bashku për çdo gjë që ka nevojë vendi ynë, ardhmëria e popullit tonë. Ne edhe pse kemi besime të ndryshme, ne jemi vëllezër nga gjaku dhe gjuha. Këtë vëllazëri duhet ta ruajmë, kultivojmë edhe tek gjenerata e re. Sigurisht kur jemi bashkë jemi më të fortë do t’ia dalim më lehtë në çfarëdo sfide që mund të ballafaqohemi gjatë rrugëtimit tonë”, ka shtuar Terrnava.
Pjesë e kësaj vizite ishte edhe pastori i Kishës Protestante të Kosovës, Artur Krasniqi.
Ndryshe, kjo ishte hera parë që një delegacion ndërfetar viziton krerët e UÇK-së, të cilët tash e dy vjet gati gjenden në paraburgim.