Falënderim për “mbështetjen e konfirmuar” ndaj mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës, i dha kryediplomati serb, Nikolla Selakoviç, homologut grek të tij, Nikos Dendias.
“Serbia mbështet vazhdimisht integritetin territorial të Greqisë, në tokë e në det”, tha Selakoviç, sipas deklaratës së lëshuar për media pas vizitës së Nikos Dendias në Beograd.
“Është shumë e rëndësishme për neve që Greqia vazhdon që në mënyrë konsistente të mbështesë integritetin territorial dhe sovranitewtin e Serbisë, si dhe politikën tonë në luftimin për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon”, thuhet në komunikatë.
Përveç kësaj, temë me homologun grek të tij, Selakoviç e kishte edhe dialogun Kosovë-Serbi, për çka akuzoi për destabilizim dhe “frikësim sistematik të popullit serb”.
“Beogradi, ndryshe nga Prishtina, është i përkushtuar ndaj dialogut dhe zgjidhjes të të gjitha çështjeve të hapura përmes mjeteve politike dhe paqësore”, tha Selakoviç.
“Politikë e till pasqyrohet, mes tjerash, përmes iniciativës së Ballkanit të Hapur, si proces që synim ka zhvillimin ekonomik dhe marrëdhënieve më të mira politike në rajon”, vazhdon lajmërimi.
Greqia është njëra nga pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian, e cila nuk e ka pranuar formalisht pavarësinë e Kosovës, ndonëse ka marrëdhënie të gjera bilaterale me Kosovën.
Vitin e kaluar u spekulua të jetë afruar njohja e Greqisë, për çka u tha se lidhej me politikat energjetike, përkatësisht projekteve të gazsjellësit, të cilën Kosova e përjashtoi nga strategjia energjetike e saj.