Lajme
A e zgjodhi Radojiçiqi, Vjosa Osmanin presidente, siç po pretendon Lista Serbe?
Demokracia
15:15 | 09 Shtator 2022

Share:

Deklarata e Vjosa Osmanit kundër Listës Serbe që akuzon eksponentë të saj për lidhje me krimin, ka bërë që këta të fundit të reagojnë me disa pretendime të rënda në drejtim të saj.

“Lista Serbe nuk interesohet të shtyjë përpara të drejtat e komuniteteve, por interesohet të jetë satelit i Vuçiqit në këtë vend dhe kjo po i dëmton vetë serbët që jetojnë në Kosovë,” – kishte thënë znj. Osmani në një deklaratë të para disa ditëve.

Kjo ‘provokoi’ Listën Serbe që të niste një reagim të ashpër e në të cilin do të thoshte se Osmani ishte zgjedhur presidente falë votave të tyre.

“Vjosa Osmani e di shumë mirë falë cilit zyrtar të Listës Serbe, dy deputetë të Grupit tonë Parlamentar u pajtuan që ta votojnë për ta zgjedhur presidente,” – u tha në një deklaratë të Listës Serbe.

Megjithëse nuk përmendën emrin e këtij zyrtari të lartë, besohet se fjala është për Milan Radojiçiqin – tashmë i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA).

Por, a po e thotë Lista Serbe të vërtetën?
Seanca e Jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e Presidentes ishte mbajtur më 4 prill 2021, ditë e diele. Në kampin e pushtetit kishte ankth të madh nëse mund të mbërrihej numri i deputetëve të nevojshme për formimin kuorumin. Duhej që tetëdhjetë deputetë të qëndronin në sallë.

Fillimisht, e gjithë vëmendja kishte qenë te Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe kryetari i saj i ri, Lumir Abdixhiku. Kjo parti politike i kishte pesëmbëdhjetë deputetë.

VV në anën tjetër, i kishte 58 deputetë ndërsa Grupi Multietnik i kishte tetë. Me vetëm 66 deputetë prezentë, Vjosa Osmani nuk mund të zgjidhej presidente. Prandaj, prania e deputetëve të LDK-së ishte e domosdoshme me të gjithë deputetët e saj.

Sidoqoftë, dihej se disa deputetë si Agim Veliu, Avdullah Hoti, Arben Gashi e Driton Selmanaj ishin jashtëzakonisht të irrituar me presidenten dhe mund të largoheshin përkundër vendimit të partisë.

Kjo bënte që numri të ishte vetëm 77 (66+11), ose tre më pak se sa që duheshin për kuorum, shkruan Nacionale.

Albin Kurti e bëri në ditën e seancës një lëvizje interesante duke e marrë një deputete nga PDK me emrin Adelina Grainca, e cila madje u bashkua edhe me grupin parlamentar të partisë në pushtet. Kjo e çoi numrin në 78.

Emri i Adem Hodzës ishte përmendur vazhdimisht ato ditë. Hodza është pjesë e Listës Serbe dhe sipas faqes zyrtare të Kuvendit të Kosovës, ai ka qëndruar në sallë. Përveç deputetit goran të bashkuar me Srpskan, një gjë të tillë del se e ka bërë edhe Fadil Gashi i komunitetit rom.

Sidoqoftë, kuorumi për Vjosa Osmanin do të bëhej nga 82 deputetë pasi përveç Adelina Graincës që nga PDK-ja kaloi në VV, edhe Albena Reshitaj vendosi t’i dilte kundër partisë së saj (AAK) ndërsa numri i deputetëve të LDK-së që braktisi sallën ishte vetëm tre.

Se mund të kishte një ‘konspiracion’ në mes, kishte lënë të kuptohej edhe deputetja e AAK-së Time Kadriaj.

“Albena dhe Adem Hodza nuk e lejuan që zgjedhjen e presidentes ta shantazojë Lista Srpska, nejse Ademi na tregoi pse e votoi. Për tre të tjerët do e kuptojmë më vonë!” – ishte shprehur znj. Kadriaj që nuk kishte marrë pjesë në votim.

Nëse ka pasur ose një pazar mes Radojiçiqit dhe pushtetit nuk dihet, por megjithatë dihet se ai nuk ka qenë edhe formalisht vendimtar pasi dy deputetët joserbë nuk ishin të nevojshëm për kuorumin prej tetëdhjetë deputetëve.

Të ngjashme