Lajme
SKANDALOZE: Presidentja Osmani shkel Kushtetutën dhe merret me GUXO, deputetja Kica-Xhelili konfirmon ndërhyrjen e saj në zhvillime partiake
Demokracia
22:06 | 08 Shtator 2022

Share:

Deputetja më e re e LDK-së, Dorsa Kica-Xhelili, ka konfirmuar se ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, para dhe pas largimit nga Partia Guxo për të aderuar në Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Teksa foli për raportet e saj me shefen e shtetit, Kica-Xhelili tha se vendimi i saj për kalim te LDK-ja nuk ka të bëjë me faktin se si ka raportet ajo me Osmanin.

“Mendoj që në kuptim të krejt kësaj që po ndodh këto ditë, raporti im me presidenten Osmani është gjëja më irelevante për publikun. Po e them që për të treguar se vendimi im për kalim s’ka të bëjë me faktin nëse i kam raportet mirë apo keq. Për çështje madhore, kur vendimi ka të bëjë me publikun, unë s’i marr parasysh raportet personale”.

Ajo konfirmoi se i ka pasur disa takime me presidenten Osmani dhe ia ka treguar vendimin për dorëheqjen, rrjedhimisht daljen nga Grupi Parlamentar i LVV-së për kalim në LDK.

Nuk më kujtohet kur, i kemi pasur dy tri takime për të njëjtën çështje. Njëherë ka qenë kur i kam treguar se kam dhënë dorëheqje dhe kur i kam menduar daljen nga GP dhe bashkëngjitjen në LDK dhe ia kam konfirmuar se përfundimisht kam vendosur për të kaluar në LDK, pa qenë në domenin publik”, u shpreh ligjvënësja opozitare.

Mes tjerash, Kica-Xhelili bëri të ditur se edhe kryeministrin Albin Kurti e ka njoftuar personalisht për vendimin e saj.

Ajo zbërtheu se është takuar me shefin e qeverisë edhe para edhe pas vendimit. Gjithashtu, ajo tregoi se Kurti i ka kërkuar vazhdimisht që ta rishikojë vendimin e saj për largim nga Guxo.

“Tash po mundohem të jem korrekte. Nëse dua të them të vërtetën, po, ka pasur insistim për ta rimenduar këtë vendim deri më sot. Ka pasur kërkesë për ta rimenduar këtë lëvizje. Komunikimi ka qenë në nivel të drejtpërdrejtë. Gjithçka çka po them sonte e kam ndarë me të dy”, theksoi ajo në Klan Kosova.

Megjithatë, deklarata e deputetes Kica-Xhelili është konfirmim dhe dëshmi se presidentja Vjosa Osmani ende vazhdon të merret me partinë politike, duke interferuar kështu drejtpërdrejt në organizimin e brendshëm të saj. Deklarata e Kica-Xhelilit lehtësisht mund të përdoret si dëshmi për të adresuar rast për presidenten Osmani në Gjykatën Kushtetuese. /Demokracia.com/

Të ngjashme