Drejtori sportiv i Ballkanit, Nderim Nexhipi ka folur në një konferencë për media në prag të ndeshjes së parë në fazën e grupeve kundër Clujit të Rumanisë në Ligën e Konferencës.
Nexhipi është shprehur i kënaqur që Ballkani nesër sipas tij do ta prezantojë edhe Kosovën në Ligën e Konferencës.
“Është kënaqësi e madhe që do ta prezantojmë edhe futbollin e Kosovës në një kompeticion si Liga e Konferencës. Për neve si klub dhe për një klub që luan për herë të parë është kënaqësi dhe e presim me padurim atë fillimin e një faqe të re në histori”, ka thënë Nexhipi në konferencë, përcjell Demokracia.com.
Ish-futbollisti shqiptar foli edhe për numrin jo të madh të biletave të shitura për këtë takim, duke bërë thirrje që stadiumi të mbushet me tifozë në përkrahje të Ballkanit.
“Ne shpresojmë të shiten edhe më shumë bileta për nesër. Shitja do të vazhdojë deri në orën 13:00 ose 14:00. Bëjmë thirrje që të mbushet sa më shumë stadiumi për ndeshjen me Cluj”, shtoi ai.
Ballkani – Cluj luhet të enjten me fillim nga ora 18:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë./Demokracia.com/