Lajme
Spanjë – Kosovë në sytë e gazetarëve sportivë: Një Kosovë e bashkuar mund ta thyej superfuqinë e Spanjës
Demokracia
16:42 | 31 Mars 2021

Share:

Kosova sonte ka njërën nga ndeshjet më të vështira që nga pranimi në UEFA e FIFA, shkruan Demokracia.com.

“Dardanët” do të ballafaqohen me Spanjën, kombëtaren që në futboll njihet si superfuqi dhe kjo ka bërë që shanset e Kosovës për rezultat të favorshëm të jenë të vogla. Megjithatë, motivi dhe dëshira për ta treguar vetën në një vend që nuk e njeh shtetin tonë, madje edhe u mundua ta injoroi plotësisht duke ia mohuar simbolet kombëtare, bën që djelmoshat tonë sonte të japin më të mirë për t’i treguar vlerat e Kosovës.

Por cilat janë pritshmëritë dhe çfarë gjasa kemi që nga Sevilja sonte të dalim triumfues. Askush më mirë sesa gazetarët sportivë të cilët  janë vazhdimisht afër kombëtares dhe e dinë çdo detaj të saj, nuk mund të flasin.

Demokracia.com ka marrë opinionin e gazetarëve Valon Konushevci, Faton Polisi, Lavdim Pireva e Drilon Sylejmani të cilët edhe pse i kanë parasysh vështirësitë e mëdha, besojnë se mund të marrim rezultat të mirë.

Valon Konushevci – Gazeta Express: Sonte ndoshta do të ishte i dobishëm Edon Zhegrova

Gazetari i mirënjohur sportiv Valon Konushevci, edhe pse e pranon se do të kemi probleme të mëdha, ai beson se nëse Challandes arrin ta përmirësojë repartin defensivë  mund të marrë rezultat pozitiv.

“Shpresoj që ditëve të fundit trajneri Challandes të ketë arritur ta përmirësojë repartin defensivë, respektivisht ta ketë bërë një balancim të vijës së mbrojtjes me mesfushorët defensivë, aty ku vërehet pika e dobët e kombëtares sonë. Nëse kjo është bërë, mund të jemi më të qetë sepse faza e sulmit nuk është keq”, tha Konushevci duke shtuar:

“Nuk besoj se Challandes do të hyjë me një formacion defensivë, me pesë mbrojtës në vijën e fundit, sepse i japim mundësi Spanjës të fokusohet në sulmet e saj ndaj nesh dhe ata kanë futbollistë të hatashëm në këtë drejtim. Nëse duam të mbrohemi, ndoshta do të ishte mirë të luajmë me formacionin tonë të zakonshëm, duke shkuar kah porta kundërshtare. Sonte ndoshta do të ishte i dobishëm Edon Zhegrova, pasi me të Kosova mund të përfitojë edhe kohë. Është lojtar që e mban topin dhe mund të tërheq kundërshtarët, por do të mund të ndihmonte Kosovën edhe në ndjekje të rezultatit”, përfundoi Valon Konushevci.

Faton Polisi – Grupi Koha: Një barazim do të ishte rezultat i jashtëzakonshëm

Për njohësin e mirë të futbollit tonë, Faton Polisi një barazim sonte do të ishte rezultat i mirë, por sipas tij assesi Kosova nuk duhet të futet e dorëzuar pavarësisht se ballafaqohemi me një superfuqi botërore në futboll.

“Përballja e Kosovës ndaj Spanjës, do të jetë ndeshja më e vështirë që prej mundësisë së saj të luaj ndeshje kualifikuese. Spanja në dy ndeshjet e para nuk e ka treguar potencialin që ka, por mendoj se ndaj Kosovës do të jenë të motivuar për të arritur ndonjë fitore me rezultat të lart. Për Kosovën do të jetë një sfidë e madhe, sepse tashmë dihet që ka mungesa dhe se lojtarët që janë në dispozicion të përzgjedhësit Bernard Challandes, nuk kanë treguar formë të mirë në klubet e tyre. Do të ishte e jashtëzakonshme, nëse Kosova do të kthehej me një pikë nga Sevilla. Por, do të jetë goxha e vështirë, megjithëse mbesim me shpresë për një pikë, që do të ishte e madhe për Kosovën”, vlerësoi Polisi.

Lavdim Pireva – Telegrafi: Përballja me Spanjën, sfidë që secili lojtarë i Kosovës do ta ëndërronte

Për gazetarin Lavdim Pireva, analizat e të cilit për futbollin kosovar gjithmonë dalin të sakta, përballja me Spanjën është një sfidë që secili lojtar nga Kosova do të ëndërronte ta luante.

Sipas tij pavarësisht humbjes dëshpëruese me Suedinë, lojtarët e Kosovës nëse futen të bashkuar në fushë mund të marrin rezultat të favorshëm.

“Ndeshja Spanjë – Kosovë, është një nga ato ndeshje që secili futbollistë nga Kosova do të ëndërronte ta luante pasi përballë nesh do të jetë një herë kampioni botës dhe tri herë kampioni i Evropës. Prej hedhjes së shortit është pritur që të ketë probleme të vogla të llojit që ndodhën në ditët e fundit, duke ditur që Spanja nuk e njeh shtetin e Kosovës, por nuk kam besuar që do të ketë ndonjë problem në protokollin e ndeshjes, pasi spanjollët kanë pranuar të luajnë ndaj Kosovës para shortit. E gjithë kjo situatë, por edhe humbja ndaj Suedisë disa ditë më parë, besoj që do të shërbejë që futbollistët tanë të luajnë më të bashkuar”, ka thënë Pireva i cili po beson se Challandes, këtë herë do të luajë një lojë më mbrojtëse dhe me kundërsulme ta rrezikojmë kundërshtarin.

“Shpresoj që përzgjedhësi Challandes për këtë ndeshje të luajë me një skuadër më mbrojtëse dhe t’i shfrytëzojë kundërsulmet në maksimum kur ti jepet mundësi me lojtarë të shpejtë në krahë. Kosova është një skuadër në rritje dhe besoj që edhe kjo ndeshje, por edhe ato në vijim të tilla me kombëtare të këtij niveli do ta rrisin skuadrën.

Ndeshja ndaj Greqisë e zhvilluar si mysafir vitin e shkuar që u mbyll 0-0 e ku Kosova kishte shumë mungesa mund të jetë një panoramë se si duhet të luajnë sidomos mysafir. Është e vështirë të marrim pikë ndaj Spanjës duke i dituar kualitet e kësaj të fundit, por edhe kur humbjet, duhet të bash pasi ke luftuar shumë dhe kë dhënë maksimumin, sikurse ishte ajo ndeshja me Anglinë (5-3), ku të gjithë ishin krenar me ekipin”, përfundoi Pireva.

Drilon Sylejmani – Sheshi: Përballja ndaj Spanjës më shumë sesa lojë futbolli

Njëri nga ata që njeh pothuaj çdo detaj ë futbollin kosovar, padyshim është Drilon Sylejmani. Ai vazhdimisht është afër klubeve dhe futbollisteve kosovarë. Sipas tij, përballja më Spanjën i kalon përmasat e një ndeshjeje futbolli.

“Ndeshja me Spanjën është më shumë se një ndeshje futbolli. Është konfirmimi i shtetësisë së Kosovës përballë një vendi që vazhdon të mos e pranoj realitetin e ri në Gadishullin Ballkanik, ani pse e njohin atë mjaft mirë. Sidoqoftë kjo është ‘beteja’ e parë që duhet të fitojmë ndaj tyre dhe më pas t’i bëjmë të na njohin edhe në fushën e lojës. Ky pritet të jetë një ‘mision’ më i vështirë, sepse për dallim nga ulëset në FIFA dhe UEFA ku jemi të barabartë, cilësia brenda fushës së lojës është dukshëm dhe natyrshëm në anën e kundërshtarit. Gjithsesi besoj dhe shpresoj shumë në një paraqitje pozitive të “Dardanëve” përballë njërës nga Përfaqësueset më të mira në botë në dekadën e fundit”, vlerësoi Sylejmani, sipas të cilit rikthimi i disa lojtarëve mund të sjellë stabilitet në ekipin e Kosovës.

“Rikthimi i disa futbollistëve dhe modifikimi i formacionit nga ndeshja e kaluar me Suedinë duhet të jetë një pikë shprese për ne. Ekipi kundërshtar në radhët e veta ka futbollistë mjaft cilësor, por duhet pranuar që ka bërë një revolucion të madh, me disa futbollistë të rinj. Rezultatet e fundit ndaj Greqisë dhe Gjeorgjisë dhe mbi të gjitha loja e zhvilluar më japin më shumë shpresë për të arritur edhe ne një rezultat pozitiv”, përfundoi Sylejmani.

Të kujtojmë se ndeshja Spanjë – Kosovë zhvillohet sonte nga ora 20:45 në Sevilje të Spanjës. /Demokracia.com

 

 

Të ngjashme
Lajme • 23 Maj 2025