23-vjetori i themelimit të Policisë së Kosovës i gjeti të njëjtit me disa ankesa e kërkesa të kamotshme që nuk gjetën derë për realizim. Kështu të paktën tha kryesindikalisti i tyre, Imer Zeqiri.
Zeqiri tha se ndër prioritetet që ata nënvizojnë është sigurimi shëndetësor për zyrtarët policorë, kjo pasi ai tha se është kërkuar që të bëhet marrëveshja me kompani private.
Ai pohoi se Policia e Kosovës është e vetmja në botë pa sigurim shëndetësor.
“Aktualisht me prioritet është ajo e sigurimit shëndetësor alternativ, ne e kemi bo një kërkesë para një muaji që e kemi dërguar tek ministri dhe kemi kërkuar që për një vit për të gjithë pjesëtarët e policisë së Kosovës, me 5 milionë euro të mbulohen që të bëjnë sigurimin shëndetësor me një kompani private. Dhe nuk ka polici në botë pa sigurim shëndetësor. Kjo nuk është e arsyeshme që policia të mos ketë sigurim shëndetësor. Kjo është kërkesa që e kemi paraqit te ministri jemi taku dhe na ka dhënë hapësira qe me diskutu prapë me kryeministrin, a do të bëjnë lëvizje në këtë drejtim, presim të shohim”, tha Zeqiri për Insajderin.
Kërkesë tjetër që Zeqiri shtroi si me prioritet ishte edhe Ligji për Pensionim në moshën 55-vjeçare, i njëjti tregoi se kanë vërejtje edhe tek Ligji për Paga, të cilat sipas tij do i paraqesin me shkrim.
“Pastaj është edhe Ligji për Pensionim në moshën 55 vjeçare që dërgohet këtë vit në Kuvend, pastaj Ligjin e Pagave që ka dalë në diskutim paraprak e kemi analizu, e kemi vërejtje që do i paraqesim me shkrim. Pastaj edhe pakënaqësitë që kemi mujt me i vërejt në draftimin e ligjit dhe këto janë me prioritet”, tha ai më tutje.
Mungesa e uniformave, ajo logjistike, shujtat e papaguara dhe udhëtimet e papaguara për zyrtarët policorë kanë zënë vend edhe në këtë 23-vjetor të themelimit të këtij institucioni.
“Kurse pastaj, mungesa logjistike, mungesa e uniformave dhe e shujtave që nuk janë të paguara njëherë, paketa e udhëtimit për zyrtarët policorë që jetojnë më larg vendit të punës së tyre”, tha për fund Zeqiri.